Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur hapur për thellimin e tensioneve mes Tiranës dhe Prishtinës, si dhe përplasjen aktuale mes Kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti.
I ftuar në emisionin “Tema e ditës” në RTSH, Ahmeti theksoi se, pavarësisht perceptimeve, qëllimi i tij dhe i Kryeministrit shqiptar ka qenë gjithmonë i mirë në raport me Kosovën:
“As e kemi menduar, as kemi punuar ndonjëherë kundër saj – përkundrazi, jemi përpjekur të punojmë për të mirën e çdo force politike në vend,” tha ai.
Përpjekjet për Ndikim dhe Mungesa e Reagimit
Ahmeti konfirmoi se ai dhe Rama kanë shfrytëzuar lidhjet e tyre me partnerët ndërkombëtarë për të ndikuar në situatën e Kosovës. Ai zbuloi se kishte biseduar disa herë me Ramën, i cili kishte kërkuar këshilla se si mund të dilet nga kriza.
Kreu i BDI-së tha se pengesa kryesore ishte mungesa e bashkëpunimit nga pala e Prishtinës:
“Nuk jemi njerëz pa miq në Bruksel dhe Uashington që mund të ndikojmë për Kosovën. Si unë si Rama ia kemi thënë shqetësimet e tyre Albin Kurtit. Por nuk ka pasur reagim,” theksoi Ahmeti.
Thirrje për Unitet Rajonal
Në vend të përçarjes, Ahmeti apeloi për unitet urgjent në rajon, veçanërisht për Kosovën, e cila ka shumë punë përpara në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit “sup më sup”, pasi proceset integruese janë të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se, ndonëse Kurti ka ndërhyrë në disa raste në çështje të Maqedonisë së Veriut, “unë personalisht kurrë nuk do të ndërhyja,” duke sugjeruar se politika duhet të shërbejë për forcim dhe jo për përçarje.