Për të 21-tën ditë rresht, Pano Ruci, babai i Denis Rucit, një prej 57 viktimave të tragjedisë hekurudhore në Tempi të shkurtit 2023, po vijon grevën e urisë në sheshin Sintagma të Athinës, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore. Kërkesa e tij është e qartë: zhvarrosja e trupit të djalit për të kryer analizat e ADN-së dhe ato toksikologjike, me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut të vërtetë të vdekjes.
Kërkesë për të vërtetën: “Dua vetëm të di nga se vdiq fëmija im”
Kërkesa e Pano Rucit është shndërruar në një simbol të kërkesës së gjerë shoqërore për drejtësi dhe transparencë. Sot, qindra qytetarë u mblodhën në një protestë të re solidariteti, duke i dhënë mbështetje babait grevist.
“Jam këtu prej 21 ditësh dhe pres. Nuk më intereson politika, dua vetëm të di nga se vdiq fëmija im,” deklaroi ai para turmës, e cila shpërtheu në duartrokitje.
Ai u zotua se nuk do të ndalet: “Nuk do të ndalojmë deri sa të japin urdhër për analizat toksikologjike të fëmijës tim, përndryshe nuk ikim, do të qëndrojmë këtu deri në fund.”
Solidariteti dhe reagimi politik
Përkrah Rucit, të cilin shumë e kanë cilësuar si “babai i të gjithëve”, qëndrojnë familjarë të viktimave të tjera, aktivistë dhe emigrantë shqiptarë. Komiteti i Solidaritetit theksoi se “Lumi i zemërimit po del jashtë shtratit, shoqëria kërkon frymëmarrje”.
Rasti i Pano Rucit ka ngjallur polemika edhe brenda qeverisë greke, ku zërat po shtohen për një zgjidhje të menjëhershme të kërkesës së tij, para se gjendja shëndetësore e grevistit, i cili monitorohet nga mjekët, të bëhet e pakthyeshme.
Komiteti i Solidaritetit ka njoftuar një tjetër tubim të madh të mërkurën, në orën 17:30, në Sintagma, në shenjë mbështetjeje të vazhdueshme.