Aktivisti i njohur konservator, Charlie Kirk, ka vdekur gjatë një fjalimi në Universitetin Utah Valley, në qytetin Orem të SHBA-së, si pasojë e një atentati. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë 31-vjeçarin të ulur në skenë kur dëgjohet një e shtënë e vetme, pas së cilës ai vendos dorën në qafë, prej ku i rrjedh gjak.
Sipas Bo Mason, Komisioner i Departamentit të Sigurisë Publike të Utah-ut, autori i krimit qëlloi nga një distancë prej rreth 180 metrash, nga çatia e një ndërtese. Ai shtoi se sulmi ishte “i synuar” ndaj një individi të vetëm. Pavarësisht dërgimit të menjëhershëm në spital, Kirk nuk arriti të mbijetonte. Autori i krimit ndodhet ende në arrati.
Reagimi i Trump dhe rëndësia e Kirk
Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi pas ngjarjes duke publikuar një video ku e cilësonte Kirk si një “patriot të madh”. Megjithëse nuk e fajësoi drejtpërdrejt, reagimi i tij sugjeroi se përgjegjësia i takon “politikës së të Majtëve”.
Charlie Kirk ishte një personalitet me ndikim në median amerikane dhe bashkëthemelues i organizatës “Turning Point USA”, e cila synon të përhapë ide konservatore tek të rinjtë. Organizata ka mbi 250,000 anëtarë studentë. Kirk ishte një mbështetës i fortë i Trump, i cili shpesh angazhohej në debate polemizuese. Ai kritikonte programet e shanseve të barabarta, mohonte ndryshimet klimatike dhe pretendonte se Trump kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
