Gjykata ka caktuar datën 25 shtator për seancën paraprake të ish-presidentit Ilir Meta. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e caktuar javën e kaluar me short elektronik.
Ndërkohë, Meta ka dështuar në përpjekjet e tij për të zëvendësuar masën e arrestit në burg. Para dy ditësh, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.
Dështimi i kërkesës për lirim dhe akuzat
Ilir Meta, i cili ndodhet në muajin e 11-të të paraburgimit, nuk ishte i pranishëm në seancën e Apelit. Nëpërmjet avokatit të tij, ai pretendonte se nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar qëndrimin në qeli. Megjithatë, Gjykata e Apelit, me gjyqtaren Igerta Hysi, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Ish-presidenti akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Dosja ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre personave të tjerë, ndodhet tani në fazën e shqyrtimit paraprak.
Reagimet ndaj gjyqtares
Përzgjedhja e gjyqtares Irena Gjoka për të shqyrtuar dosjen ka shkaktuar reagime të forta nga zyrtarë të Partisë së Lirisë, të cilët kërkuan largimin e saj. Avokati Cakrani tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do të kërkohej përjashtimi i gjyqtares nga ky proces.
