Për emigrantët që synojnë të punojnë në Gjermani, vjen një lajm i mirë: numri i diplomave profesionale të huaja që njihen në vend ka shënuar një rritje të ndjeshme. Ky zhvillim shihet si një hap pozitiv në lehtësimin e pengesave burokratike për punëtorët e kualifikuar.
Rritje e madhe e njohjeve të diplomave
Sipas të dhënave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave në Visbaden, në vitin 2024 janë vlerësuar pozitivisht rreth 79.100 aplikime, një rritje prej 21% krahasuar me vitin 2023. Kjo shifër ka arritur të trefishohet që nga viti 2016, kur nisi regjistrimi i përbashkët i procedurave të njohjes së diplomave. Kjo rritje pasqyron nevojën urgjente të Gjermanisë për punonjës të kualifikuar, veçanërisht në fusha si kujdestaria, mjekësia dhe inxhinieria.
Nevoja e tregut të punës dhe sfidat demografike
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se Gjermania ka nevojë për punëtorë të huaj për të mbushur boshllëkun e pritshëm në tregun e punës. Gjatë 15 viteve të ardhshme, rreth një e treta e punonjësve aktualë pritet të dalin në pension, ndërsa brezi i ri nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar këtë mungesë.
Stefan Kooths, nga Instituti për Ekonominë Botërore në Kiel, shprehet se ky ndryshim demografik mund të vendosë nën presion sistemet e sigurimeve shoqërore, pasi më pak njerëz në punë do të duhet të paguajnë për një numër më të madh pensionistësh. Pa reforma të thella, kjo situatë mund të çojë në rritjen e kontributeve dhe taksave, duke e bërë vendin më pak tërheqës për investimet dhe punonjësit e kualifikuar nga jashtë. Njohja e shpejtë e diplomave konsiderohet si një hap i rëndësishëm për të zbutur këtë problem.