Një zhvillim i papritur dhe tronditës erdhi këtë javë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pas një periudhe më shumë se 8-mujore, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës dukeshin sikur ishin distancuar nga Shqipëria, Uashingtoni ka dhënë një mesazh të fortë, se mbështetja për drejtësinë shqiptare jo vetëm që nuk është tërhequr, por po rikthehet në mënyrë të fuqishme dhe me sinjale të qarta.
Sipas një njoftimi të publikuar nga DASH, Zyrtari i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan P. Hanrahan, do të takojë më 2 shator me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje se çfarë u diskutua mes Dumanit dhe diplomatit Hanrahan, ndërkohë që gazeta “SOT” ka mësuar se bashkë me kryeprokurorin special ka qenë në takim edhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) Engert Pëllumbi, i njohur ndryshe si “Falcone” shqiptar.
Ky fakt është një mesazh i koduar, por brutal për klasën politike shqiptare: SHBA nuk është tërhequr nga mbështetja për SPAK dhe drejtësinë e re, përkundrazi, ka zgjedhur të forcojë aleancën me dy figurat më të spikatura që kanë goditur “të paprekshmit” e tranzicionit shqiptar.
Prapaskenat
Por pse është ky takim kaq i rëndësishëm? Sepse Altin Dumani është simboli i SPAK, struktura që ka hapur dosjet më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe Engert Pëllumbi është gjyqtari që ka marrë vendimet gjyqësore më të bujshme të dekadës së fundit:
Dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me burg.
La në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pas një seance maratonë.
Riktheu masën e sigurisë për Sali Berishën detyrim paraqitje dy herë në muaj para SPAK, duke i dhënë një tjetër goditje të rëndë figurës më të vjetër të politikës shqiptare.
Kjo “dyshe e hekurt” e drejtësisë shqiptare, i pritur njëkohësisht nga DASH, është një precedent i rrallë. Në përkthimin diplomatik, ai nënkupton: SPAK nuk është vetëm dhe drejtësia shqiptare nuk do të luftojë e braktisur. Po ashtu, duhet theksuar se takimi vjen në një moment ku politika shqiptare është ndezur në përplasje.
Dumani pritet të largohet në dhjetor, ndërsa Rama dhe Berisha, dy kundërshtarë të përjetshëm, kanë gjetur gjuhë të përbashkët vetëm në një pikë: sulmin ndaj drejtësisë. Ndërkohë, në qarqe politike dhe mediatike qarkullonte ideja se me rikthimin e Donald Trump në pushtet, SHBA do të zbehte mbështetjen ndaj SPAK.
Por ftesa për Dumanin dhe Pëllumbin i shuan të gjitha këto iluzione. Uashingtoni po kthehet fuqishëm në lojë, duke e bërë të qartë se dosjet e mëdha të korrupsionit janë ende në radar dhe “fshesa amerikane” sapo ka filluar të lëvizë, ku pritet një “kurban i madh” nga qeveria që do të bjerë në tehun e shpatës së SPAK.
Çfarë pritet më tej?
Nga ana tjetër, teksa shohim këto zhvillime, kombinimi Dumani–Pëllumbi në Uashington është një paralajmërim i hapur se në ditët e ardhshëm mund të ketë arrestime dhe goditje të reja spektakolare.
Pra kur SHBA e bën kaq të qartë mbështetjen për SPAK dhe për gjyqtarët që nuk lëshojnë terren, politika shqiptare nuk ka më asnjë strehë sigurie. Tirana politike tashmë është në ankth.
Sepse kur SHBA thërret në një tryezë të vetme si prokurorin që heton, ashtu edhe gjyqtarin që vulos arrestimet, do të thotë vetëm një gjë: koha e të paprekshmëve ka marrë fund. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht.