Një burim i brendshëm i Partisë Socialiste i ka bërë të ditur VoxNews se Besnik Tahiri do të jetë një nga emrat surprizë në kabinetin qeveritar “Rama 4”, i cili pritet të shpallet më 11 shtator. Ende nuk dihet se çfarë portofoli ministror do të mbulojë ai.
Sinjalet nga Kosova
Besnik Tahiri, i cili ka shërbyer dy herë në qeveritë e Kosovës, si ministër i Jashtëm dhe ushtrues detyre në Ministrinë e Drejtësisë, ka dhënë shenja të qarta për këtë lëvizje. Ai ka shpërndarë një postim në Facebook, ku shkruan se “Ky muaj shënon fillimin e një kapitulli të ri profesional, me qëllime të qarta dhe besim të plotë në atë se çka po vjen.”
Sipas informacioneve, Tahiri ndodhet aktualisht në Tiranë dhe ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Rama. Ky veprim vjen një ditë pas seancës së parë të Parlamentit të ri, ku pritet të bëhen të ditur emrat e ministrave të rinj.
Ende nuk ka konfirmime zyrtare për fatin e ministrave aktualë, të cilët janë në pritje, përballë etheve të ndryshimit. Kjo lëvizje e papritur e Ramës pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në kabinetin qeveritar.
