Një 70-vjeçar me iniciale N. K., i identifikuar si Niko Kita, është gjetur i vdekur pasditen e sotme në banesën e tij në Korçë. Kjo është tragjedia e dytë e ngjashme në këtë qytet brenda pak ditësh, pasi katër ditë më parë u gjet i vdekur 60-vjeçari Petro Seferi, trupi i të cilit rezultoi të kishte qëndruar për disa muaj në banesë pa u vënë re nga askush.
Mbetet mister koha e vdekjes
Niko Kita jetonte i vetëm, ndërsa bashkëshortja dhe dy vajzat e tij jetojnë jashtë vendit. Policia, në njoftimin zyrtar, deklaroi se dyshohet që vdekja të ketë ndodhur disa ditë më parë. Megjithatë, fqinjët bien në kontradiktë me këtë version, duke thënë se e kishin parë 70-vjeçarin një ditë më parë, rreth orës 10:00. Ata gjithashtu pretendojnë se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Hetimet në vazhdim
Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë. Aktualisht, nuk ka shenja dhune në trupin e viktimës.