Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur zyrtarisht të lirojë nga detyra drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, pas përfundimit të mandatit të saj pesëvjeçar. Vendimi u mor me 6 vota pro, duke i hapur rrugë procesit për zgjedhjen e drejtuesit të ri të institucionit.
Gara për kreun e ri të BKH-së
Deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, BKH-ja do të drejtohet nga zëvendësdrejtori aktual, Joni Keta, i cili është edhe një nga 7 kandidatët në garë. Kandidatët e mbetur në garë janë:
- Andi Pogaçe
- Artur Beu
- Elton Kërluku
- Gentian Ndoi
- Gentjan Shehaj
- Gledis Nano
- Joni Keta
Këta kandidatë, të përzgjedhur nga një garë me 13 aplikantë, kanë kaluar tashmë fazën e parë të testimeve, përfshirë testin fizik, esenë, testin logjik dhe intervistën me gojë.
Kontrollet dhe procesi i përzgjedhjes
Tani, kandidatët do t’i nënshtrohen një kontrolli të thellë nga Komisioni i Verifikimit të Figurës dhe Pasurisë, i përbërë nga gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të BKH-së. Gjatë këtij procesi, do të mblidhen informacione nga shërbimet sekrete dhe institucionet për pastërtinë e figurës së tyre dhe të familjarëve, si dhe do të analizohen pasuritë e deklaruara.
Pas këtij procesi, Komisioni i Përzgjedhjes, i cili përbëhet nga prokurorë të SPAK, do të zgjedhë kandidatin më të mirë, i cili do t’i nënshtrohet një programi trajnimi para se të miratohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.