Ministria e Arsimit, me një urdhër të ri të fortë, ka vendosur të ndalojë përdorimin e celularëve në shkolla gjatë vitit të ri shkollor. Kjo masë, e marrë për të rritur përqendrimin dhe mirëqenien e nxënësve, është e frymëzuar nga studimet dhe përvojat e vendeve të tjera evropiane.
Mësimi pa shpërqendrim
Ministrja Ogerta Manastirliu, në një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, theksoi se qëllimi është kthimi i shkollës në një mjedis të sigurt dhe të fokusuar tek mësimi. “Telefonat nuk duhet të merren në shkollë”, është rregulli i ri i thjeshtë dhe i qartë.
Për rastet kur prindërit e shohin të nevojshme që fëmija të ketë një celular, ai duhet të dorëzohet i fikur tek mësuesi kujdestar ose në drejtorinë e shkollës. Telefoni do të ruhet në një vend të caktuar në klasë deri në fund të orarit mësimor. Për komunikime urgjente, kontakti me prindin do të bëhet vetëm përmes mësuesit ose drejtorit.
Zbatimi i këtij rregulli do të jetë nën përgjegjësinë e drejtorisë së shkollës dhe mësuesve, të cilët duhet të shërbejnë si shembull për nxënësit. Ky vendim synon të pakësojë shpërqendrimin dhe të rrisë suksesin e nxënësve në mësime.