Pas stuhisë së fuqishme që përfshiu vendin ditët e fundit, javën e parë të shtatorit pritet ta karakterizojë mot i qëndrueshëm dhe me temperatura të larta. Këtë parashikim e bëri meteorologia Lajda Porja, e ftuar në Euronews Albania.
Temperaturat në rritje dhe disa reshje lokale
Sipas Porjas, pas ditës së sotme me diell, të gjithë javën do të ketë rritje të temperaturave. Ajo theksoi se ato maksimale do të shkojnë deri në 36 gradë Celsius, shifra këto më të larta se mesatarja për muajin shtator.
Megjithatë, priten disa reshje të izoluara shiu gjatë të mërkurës dhe të enjtes, kryesisht në veri dhe në zona të caktuara qendrore si Tirana dhe Elbasani. Këto reshje do të jenë kalimtare dhe nuk pritet të shkaktojnë probleme.
Lajda Porja sqaroi gjithashtu se, ndonëse nuk priten stuhi të mëdha këtë javë, ato do të rikthehen pas javës së dytë të shtatorit dhe në fillim të tetorit, por do të jenë më të dobëta se ajo që kaloi.