Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka njoftuar se të gjithë shtetasit shqiptarë mbi 18 vjeç, të cilët nuk kanë arritur moshën e pensionit, kanë të drejtë të bëjnë sigurim vullnetar. Kjo skemë ofron mundësinë për të mbuluar periudha të pambuluara, për të rritur të ardhurat në pension ose thjesht për të vazhduar sigurimin.
Cilat kategori përfitojnë nga sigurimi vullnetar?
Skema e sigurimit vullnetar është e ndarë në tre fusha kryesore:
- Sigurimi vullnetar për vitin aktual: Kjo vlen për individët që nuk janë pjesë e sigurimit të detyrueshëm. Pagesat mund të bëhen çdo muaj, tremujor ose vjetor, dhe për pagesat e parapaguara ofrohen zbritje. Për shembull, një pagesë vjetore e bërë brenda janarit përfiton një zbritje prej 6%.
- Sigurimi vullnetar për periudha të kaluara: Kjo kategori u mundëson personave të mbulojnë periudhat e punës që nuk janë siguruar më parë, me qëllim plotësimin e viteve të nevojshme për pension.
- Sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura: Kjo është një mundësi për të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit privatë që dëshirojnë të paguajnë kontribute shtesë për të pasur një pension më të lartë pleqërie, invaliditeti ose familjar. Kontributet shtohen deri në nivelin maksimal, por vetëm për vitin aktual, jo për periudha të shkuara.
Kujt i drejtohet sigurimi vullnetar?
Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 8,640 lekë, ndërsa kuota vjetore arrin në 103,680 lekë. Aplikimi për këtë shërbim bëhet përmes një marrëveshjeje me strukturat e ISSH-së.
Megjithatë, ka edhe përjashtime. Sigurimi vullnetar nuk mund të kryhet nga personat që tashmë përfitojnë nga skema e sigurimit të detyruar, si dhe nga të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët marrin subvencione nga buxheti i shtetit. Kjo skemë ofron një siguri shtesë për të ardhmen dhe një shans për të rritur të ardhurat në moshën e pensionit.