Rusia lëshoi një numër dronësh luftarakë dhe raketash në drejtim të qyteteve ukrainase pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për paqe, raportoi sot ’’The Kyiv Independent’’.
Sipas shifrave ukrainase, forcat ajrore zbuluan 614 dronë si dhe raketa hipersonike dhe balistike.
Agjencia e lajmeve RBC Ukraine raportoi se shpërthime u dëgjuan në Kiev dhe në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit.
RBC Ukraine citoi guvernatorin ushtarak të Lvivit, Maksym Kozytskyi, të ketë thënë se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar në rajon.
Një alarm ajror ishte lëshuar më parë në Kiev të mërkurën në mbrëmje dhe sulmet me dronë vazhduan atje gjatë natës, me sirena që thuhet se zgjatën gati tetë orë. Mbrojtja ajrore ishte gjithashtu aktive në qytet.
Raketat goditën Ukrainën perëndimore, përfshirë Mukaçevën pranë kufirit hungarez, ku u plagosën 15 persona.
Raportet e medias tregojnë se një fabrikë për komponentë elektronikë u godit, duke shkaktuar një zjarr të madh.
Në Lviv, një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën, sipas kryetarit të bashkisë Andrii Sadovyi.
Ndërkohë, Ukraina kreu sulme gjatë natës në territorin rus duke përdorur dronë luftarakë. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi 49 dronë të kapur.
Kanalet ruse të Telegram përmendën sulme në rafinerinë ’’Novoshakhtinsk’’ në Rostov, duke shkaktuar një zjarr, mbyllje të përkohshme të një linje hekurudhore në Voronezh dhe pezullime afatshkurtra të aeroporteve në Volgograd dhe Kaluga për shkak të alarmeve për dronë.
Sulmet e fundit vijnë mes një shtytjeje të kohëve të fundit nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për një zgjidhje për luftën në Ukrainë.