Aleanca politike mes Sali Berishës dhe Ilir Metës duket se po forcohet edhe pas humbjes në zgjedhje. Për të siguruar krijimin e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Berisha ka rënë dakord t’i japë “hua” tre deputetë nga Partia Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, konfirmoi në një intervistë televizive se ishin marrë vesh me PD-në. Ai theksoi se kjo lëvizje është thelbësore që “zëri i zotit Meta të dëgjohet fuqishëm në Kuvendin e ri”, pavarësisht se ai do ta koordinojë aksionin opozitar nga burgu.
Krijimi i grupit parlamentar, i cili kërkon një minimum prej 7 deputetësh, i jep Partisë së Lirisë jo vetëm më shumë hapësirë në debatet e Kuvendit, por edhe zyra dhe staf shtesë. Blushi paralajmëroi se Partia e Lirisë nuk do të bëjë bojkot, por do të ketë një aksion të fortë politik, duke përfshirë edhe protesta.
Edhe aleatët e tjerë të opozitës, si Fatmir Mediu, Vangjel Dule pritet të ndjekin të njëjtën praktikë të “dhurimit” të deputetëve, duke bërë që opozita në legjislaturën e re të ketë të paktën tre grupe parlamentare. Nga ana tjetër, Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të mbledhë forumet për të vendosur për strategjinë e ardhshme, duke theksuar se beteja opozitare do të vazhdojë.