Komuna e Kamenicës është në zi pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Greta Kryeziu. Lajmi i vdekjes së saj, pas një sëmundjeje të rëndë, është konfirmuar sot nga familjarët dhe institucionet lokale.
Vetëm pak ditë më parë, Komuna e Kamenicës kishte lëshuar një apel publik, duke kërkuar ndihmë financiare për trajtimin mjekësor të Kryeziut. Në njoftimin e tyre, komuna shpjegonte se gjendja e saj ishte kritike dhe kishte nevojë urgjente për një transplant mëlçie në një spital jashtë vendit, me një kosto që arrinte deri në 100,000 euro.
Thirrja u ishte drejtuar qytetarëve, bizneseve dhe bashkatdhetarëve, duke qenë se shuma ishte e papërballueshme për familjen dhe institucionin. Fatkeqësisht, pavarësisht solidaritetit të treguar, ajo nuk arriti ta fitonte betejën me sëmundjen.
Lajmi i vdekjes së saj ka sjellë një valë reagimesh nga figura publike dhe politike. Familjarët e saj, të shokuar nga humbja, kanë njoftuar publikun për vdekjen, duke ndaluar mbledhjen e fondeve dhe duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan. Komuna e Kamenicës, në një njoftim zyrtar, shprehu ngushëllimet më të thella për familjen, duke theksuar se humbja e saj është një goditje e madhe për të gjithë.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për vdekjen e saj, duke e cilësuar si një profesioniste të zellshme dhe bashkëpunëtore të çmuar, duke theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për shërbimin ndaj qytetarëve.