Myslim Murrizi, ish-kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike për Tiranën, paralajmëroi zhvillime të forta në vjeshtë, të cilat, sipas tij, do të shkaktojnë “tërmet” në listën e PD-së. Murrizi shprehu bindjen se do të jetë në Parlament, megjithëse nuk fitoi një mandat në zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Murrizi provokoi deputetët e zgjedhur në kryeqytet që kanë llogari të hapura me drejtësinë, duke theksuar se nuk do t’ua heqë ai mandatin, por “zullumet që kanë bërë do t’i paguajnë vetë”. Ai theksoi se beson te drejtësia, e sidomos te SPAK, dhe se disa nga ata që janë në proces hetimor apo gjyqësor mund të humbin mandatin e tyre.
Gjithashtu, Murrizi hodhi dritë mbi ambiciet e tij politike brenda Partisë Demokratike. Ai u shpreh se do të kandidojë për postin e kryetarit të partisë nëse Sali Berisha vendos të mos garojë. “Nëse Berisha nuk do të jetë kandidat dhe nuk do të trazohet më, unë do të jem në garë,” tha Murrizi, duke theksuar se vjen nga “dhjetori” dhe se nuk ka pasur asnjëherë përfitime nga paratë publike. Ai nuk e përjashtoi mundësinë për të garuar edhe nëse Berisha vendos të kandidojë, duke theksuar se PD-ja “nuk është parti private e një njeriu”.