Avokati i njohur, Idajet Beqiri, në një deklaratë të fortë për “Abc News”, ka paralajmëruar se procesi i dosjes së “21 Janarit” po hyn në fazën përfundimtare dhe se provat kyçe që fundosin ish-kryeministrin Sali Berisha tashmë janë të pakundërshtueshme. Avokati, i cili përfaqëson familjarët e viktimave, pretendoi se Berisha e ka kuptuar se nuk mund t’i shpëtojë më përgjegjësisë dhe për këtë arsye po përgatit arratisjen e tij dhe të familjarëve jashtë Shqipërisë.
Rikuperimi i serverave dhe pamjeve të fshira
Beqiri zbuloi se serverat dhe pamjet e fshira nga Kryeministria pas masakrës së 21 Janarit 2011 janë rikuperuar. Ai tha se një ekspertizë amerikane ka vërtetuar se zhdukja e 11 kamerave është bërë me urdhër politik. Sipas tij, urdhri për të qëlluar mbi protestuesit erdhi direkt nga Berisha, dhe kjo dëshmohet nga breshëritë e armëve të Gardës, të cilat nuk mund të ndodhnin pa një komandë të prerë.
Beqiri hodhi poshtë alibinë e Berishës se vrasjet erdhën nga rikoshetat, duke theksuar se katër viktimat dhe dhjetëra të plagosurit u qëlluan direkt në trup me urdhër. “Ky nuk ishte aksident, por një ekzekutim shtetëror”, tha ai, duke shtuar se Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar ngjarjen si një krim shtetëror.
Thirrjet e SPAK në shtator
Avokati Beqiri zbuloi se në shtator, SPAK pritet të thërrasë për dëshmi Berishën, ish-kryeprokuroren Ina Rama, ish-presidentin Bamir Topi, dhe figura të tjera kyçe të asaj kohe, përfshirë edhe Lulzim Bashën. Sipas tij, dëshmitarët dhe deklaruesit kryesorë do të thirren me radhë, dhe një pjesë e mirë e tyre do të kthehen në të pandehur. Ai shtoi se ish-komandanti i Gardës dhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit janë thirrur tashmë për të dhënë deklarimet e tyre.
Kritika ndaj SPAK-ut dhe rreziku i arratisjes
Nga ana tjetër, avokati Beqiri akuzoi SPAK-un për papërgjegjshmëri, duke lënë Berishën të lirë të lëvizë dhe të planifikojë arratisjen, edhe pse ndaj tij rëndojnë akuza që mund të çojnë në burgim të përjetshëm. Ai shtoi se vetë Sali Berisha po bën “rikonicion” nëpër vende si Kosova, për të gjetur një vend ku mund të fshihet me familjen e tij.
“Ky nuk ishte aksident, por një ekzekutim shtetëror dhe në shtator do të bjerë përfundimisht maska e Sali Berishës”, përfundoi avokati.