Një tërmet me magnitudë 6.0 ballë ka goditur brigjet e ishullit Sulawesi në Indonezi, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra personave, ndonëse deri tani nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha. Lajmi u konfirmua nga Agjencia Indoneziane e Meteorologjisë dhe Gjeofizikës (BKMG).
Epiqendra e tërmetit ishte e vendosur në zonën detare, rreth 18 kilometra në veriperëndim të qytetit të Poso. Thellësia fokale u vlerësua në 10 kilometra, një thellësi relativisht e cekët, e cila shpesh mund të shkaktojë lëkundje më të ndjeshme në sipërfaqe.
Ndonëse raportet paraprake flasin për mungesë të viktimave, autoritetet kanë konfirmuar se dhjetëra persona janë plagosur lehtë dhe janë transportuar në spitalet më të afërta. Ende nuk ka shifra të sakta mbi numrin e të plagosurve apo mbi dëmet e shkaktuara në ndërtesa dhe infrastruktura. Grupet e shpëtimit dhe ekipet e emergjencës kanë nisur menjëherë punën në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ofruar ndihmë.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë me aktivitet sizmik dhe vullkanik jashtëzakonisht intensiv, ku kryqëzohen pllaka të shumta tektonike. Për këtë arsye, tërmetet e kësaj magnitude janë relativisht të shpeshta në këtë rajon, por masat e emergjencës janë në gatishmëri.