Pas një periudhe të gjatë me temperatura ekstreme që arritën deri në 42 gradë Celsius, meteorologia Tanja Porja ka dhënë lajme të mira për vendin. Sipas saj, sot ka nisur gradualisht ulja e temperaturave, një trend që pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm.
“Sot presim 40-41 gradë, nesër 38-39 gradë, ndërsa nga e premtja do të kemi temperatura jo më shumë se 35-36 gradë Celsius,” u shpreh Porja për A2 CNN. Ajo theksoi se ulja do të ndihet më tepër në pjesën e dytë të javës dhe gjatë fundjavës. Megjithatë, në zona të izoluara, si në skajin veriperëndimor, temperaturat mund të mbeten të larta, duke arritur deri në 38-39 gradë.
Pa reshje shiu deri në fund të muajit, thatësira e paprecedentë
Përballë situatës kritike të zjarreve, Porja konfirmoi se deri më 23-24 gusht, nuk parashikohen reshje shiu në territorin shqiptar, çka e thellon edhe më tej thatësirën e kësaj vere. “Thatësira e kësaj vere ka qenë e paprecedentë,” tha ajo, duke shtuar se reshje të konsiderueshme priten vetëm pas datës 24 gusht, kryesisht në gjysmën lindore të vendit.
Parashikimet për muajin shtator nuk janë optimiste për një ftohje të ndjeshme, pasi sipas Porjës, muaji pritet të vazhdojë me temperatura të larta, të ngjashme me ato të muajve të verës.