Mbrëmjen e së hënës, pak para orës 19:00, rruga Stahlstrasse në qytetin e qetë të St. Gallen në Zvicër u shndërrua në skenën e një tragjedie rrëqethëse. Aty, në një zonë banimi me kufizim shpejtësie prej vetëm 30 km/orë, një 44-vjeçar me shtetësi gjermane, teksa drejtonte furgonin e tij tip Mercedes në drejtim të Zürcher Strasse, pranë kryqëzimit me Feldbachstrasse, përplasi rëndë një fëmijë 4-vjeçar. Vogëlushi, i identifikuar nga mediat si Dardani, ishte me prindër me origjinë nga Kosova dhe mbante pasaportë austriake.
Goditja ishte fatale. Dardani u rrëzua në asfalt para syve të tmerruar të prindërve të tij. Në vendngjarje mbërritën menjëherë patrullat e policisë, ndërsa kalimtarë të rastit u hodhën në ndihmë duke bërë gjithçka për ta mbajtur gjallë.
Sipas autoriteteve, reanimacioni nisi aty për aty, deri në momentin që ambulanca transportoi të miturin me urgjencë drejt Spitalit të Fëmijëve në St. Gallen. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, pas dy orësh zemra e tij pushoi së rrahuri, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje dhe komunitet.
Dëshmitarët përshkruajnë minuta të gjata paniku dhe dhimbjeje. Një banore e lagjes, ende e tronditur, i tha gazetës Blick:
“Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e shtrirë, i gjakosur, ndërsa e ëma bërtiste dhe përplasej nga dëshpërimi. Nuk do ta harroj kurrë atë pamje. Ishte një tragjedi e vërtetë.”
Një tjetër banor, Xhevdet V., i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, tregoi për momentet dramatike të ndërhyrjes:
“Babai e mbante të voglin në krahë, i shastisur. E shtriva butë përtokë, i vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë masazhin kardiak. U munduam deri në fund, por… gjithçka doli e kotë.”
Edhe Blendi V., 22 vjeç, që ndodhej aty, dëshmoi se shoferi i furgonit nuk u largua nga skena dhe reagoi menjëherë:
“Ai telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës dhe u mundua të ndihmonte. Ai dhe bashkëshortja e tij ishin në gjendje shoku total.”
Policia kantonale e St. Gallen ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit. Aktualisht, autoritetet po kërkojnë dëshmitarë të tjerë që mund të kenë parë momentin e saktë të përplasjes ose lëvizjet e fëmijës dhe mjetit para saj.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm lagjen ku ndodhi, por gjithë komunitetin lokal. Banorët kanë nisur të kërkojnë masa shtesë sigurie në rrugë, duke përfshirë vendosjen e pengesave fizike për uljen e shpejtësisë dhe kontrolle më të rrepta policore, me shpresën që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë.
Në St. Gallen, emri i vogëlushit Dardan tashmë është bërë simbol i dhimbjes dhe kujtesës së një komuniteti që sot mban zi për një jetë të humbur shumë herët.
