Vala e të nxehtit afrikan do të vazhdojë të mbajë Shqipërinë nën ndikimin e temperaturave ekstreme edhe në fillim të kësaj jave. Sipas meteorologut Hakil Osmani nga MeteoAlb, temperaturat do të arrijnë kulmin e tyre në disa rajone të vendit.
“Maksimumet në rang territori do të regjistrohen shumë pranë vlerave 42°C, si në qarqet e Beratit dhe të Shkodrës,” tha Osmani. Gjithashtu, temperatura të larta priten edhe në Tiranë, ku maksimumi do të shkojë në 41°C, si dhe në Elbasan e Gjirokastër, me temperatura 40-41°C. Edhe zonat malore nuk shpëtojnë nga i nxehti, me Kukësin që pritet të arrijë deri në 38°C. Zona më e freskët do të jetë juglindja, me vlera maksimale deri në 36°C.
Zbutje e temperaturave pas të mërkurës
Lajmi i mirë për shqiptarët është se kjo valë e nxehtë pritet të zbutet pas ditës së mërkurë. Osmani deklaroi se pjesa e dytë e javës do të sjellë një rënie graduale të temperaturave në të gjithë vendin. “Mëngjeset do të kenë një rënie më të ndjeshme, duke shkuar në vlera 12-13°C, ndërsa maksimumet do të zbresin në 37-38°C,” shtoi meteorologu.