Kryeministri Edi Rama ka folur sërish publikisht për aksionin e ndërmarrë prej disa javësh për lirimin e hapësirave publike në të gjithë territorin e vendit, një operacion që, sipas tij, synon jo vetëm të pastrojë shkeljet e deritanishme, por edhe të krijojë standarde të reja, europiane, për hapësirat e përbashkëta.
Duke pranuar se shteti ka mbajtur një pjesë të përgjegjësisë për situatën e krijuar ndër vite, Rama e cilësoi këtë ndërhyrje si vetëm hapin e parë të një programi më të gjerë të Rilindjes Urbane, i cili do të transformojë rrënjësisht mjediset publike, duke i bërë ato më funksionale, më estetike dhe më të aksesueshme për qytetarët.
“Kthimi në gjendjen e mëparshme po ecën me ritme të shpejta, sepse pjesa më e madhe e ndërhyrjeve bëhet në struktura të çmontueshme, të cilat hiqen pa shumë vështirësi.
Në rastet kur kemi të bëjmë me ndërtime me tulla, llac apo beton, puna do të kërkojë më shumë kohë, por fatmirësisht, këto nuk janë në numër të madh.
Kjo është vetëm faza e parë e një programi të ri të Rilindjes Urbane. Synimi ynë është krijimi i hapësirave publike me standarde të larta, proces që do të kërkojë durim, por që në fund do t’i japë vendit fytyrën e një shteti të ndërtuar, ashtu siç e kërkon integrimi në Bashkimin Europian,” – u shpreh ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu se, pavarësisht përgjegjësive që mban vetë shteti, kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për ata që shkelin ligjin.
“Për asnjë arsye, përgjegjësia e shtetit nuk amniston shkelësit e ligjit. Nuk mund të ketë mentalitetin e ‘po hedh beton dhe po nuk më kapën, s’më bën dot gjë askush’. Ligji është i njëjtë për të gjithë dhe do të zbatohet,” – deklaroi Rama.
Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë sinjalizoi se aksioni nuk është një fushatë e përkohshme, por pjesë e një vizioni afatgjatë për ta kthyer hapësirën publike në një aset të përbashkët, të mbrojtur dhe të mirëmenaxhuar.