Skip to content

Dalin detajet e forta! Ja dosja në SPAK që po tmerron Berishën

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka bërë një analizë të thellë të situatës politike në vend, duke shpërthyer ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Përmes një deklarate, Ngjela e cilëson Berishën jo vetëm si pengesën më të madhe për progresin e Shqipërisë, por edhe si një figurë të kapluar nga frika, për shkak të një dosjeje të rëndë në SPAK që e rrezikon të marrë statusin e të pandehurit.

Ngjela e lidh drejtpërdrejt stanjacionin politik të vendit me ekzistencën e Berishës në krye të Partisë Demokratike. Sipas tij, sa kohë Berisha të jetë në krye, Partia Socialiste do të fitojë gjithmonë zgjedhjet, duke e shndërruar ish-kryeministrin në pengesën kryesore për ndërrimin e pushtetit dhe për një demokraci funksionale. Ai e kritikon ashpër edhe lidershipin aktual për mungesën e një perspektive serioze në çështjen kombëtare, duke e cilësuar si “një kohë pa perspektivë”.

Dosja e “21 Janarit” dhe akuzat për vrasje nga “pakujdesia”

Ngjela adreson drejtpërdrejt një nga dosjet më të rënda që ndodhet në SPAK, atë të “21 Janarit” dhe vrasjeve para Kryeministrisë. Ai ironizon me justifikimet e fundit të Berishës, i cili deklaroi se vrasjet ishin “nga pakujdesia”. Ngjela thekson se kjo mbrojtje është e pabazë, duke sqaruar se në ligjin penal, vrasja nga pakujdesia do të ishte nëse Gardistët do të kishin shtënë për të vrarë diçka tjetër dhe jo njerëz.

Avokati e akuzon Berishën se po flet “përçart” nga frika se SPAK do ta marrë të pandehur për këtë krim. “E kuptoni tani se kë keni pasur president e kryeministër? Një mjek antishtet që e ka drejtuar Shqipërinë drejt shkatërrimit të saj,” përfundon Ngjela me një mesazh të prerë. Këto deklarata vijnë në një kohë kur SPAK ka konfirmuar se dosja e 21 Janarit është prioritet, dhe ndryshimet e vazhdueshme në versionet e Berishës shihen si shenja të qarta të frikës së tij përballë drejtësisë.

Published inLajme