Një ngjarje dramatike ka ndodhur mbrëmë në Qafën e Koshovicës, ku një polic shqiptar tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke shpëtuar katër të rinj nga një makinë e përfshirë nga flakët.
Automjeti tip “Benz” humbi kontrollin, u përplas me një pishë dhe u përmbys, duke marrë menjëherë flakë. Brenda mbetën të bllokuar katër të rinj, dhe në këtë situatë kritike, efektivi i policisë, Kladji Mustaj, ndërhyri pa hezitim. Pavarësisht rrezikut të madh, ai u fut mes flakëve dhe tymit, duke nxjerrë një nga një të plagosurit dhe duke i larguar në një distancë të sigurt.
Dëshmitarët: “Shmangu një tragjedi të sigurt”
Akti heroik i Mustajt u filmua nga një qytetar, i cili dëshmoi se veprimi i tij i shpejtë shmangu një tragjedi të sigurt. Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spital, ku tre prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një prej tyre mbetet në gjendje kritike.
Në një reagim për JOQ Albania, vetë polici Kladji Mustaj theksoi se veprimi i tij ishte para së gjithash një “veprim njerëzor”. “Mes shumë vështirësish, i nxora të rinjtë nga makina, kur askush tjetër nuk po ndërhynte,” u shpreh ai, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur. Ky akt është cilësuar nga qytetarët si shembull i vërtetë i humanizmit dhe guximit në shërbim të komunitetit.