Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Bogdan të Beratit, ku një 57-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht. Viktima, Adriatik Toska, u plagos me armë gjahu nga bashkëfshatari i tij, Dhimitër Kuqi, 53 vjeç, i cili po tentonte të gjuante një derr të egër.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00. Autori dhe viktima kishin dalë së bashku për të ruajtur parcelat me misër nga dëmet e shkaktuara nga derrat e egër. Në një moment të pakujdesshëm, 53-vjeçari ka qëlluar aksidentalisht bashkëfshatarin e tij. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë, Adriatik Toska ka ndërruar jetë në spital.
Autori shoqërohet në polici, hetimet vazhdojnë
Autori i ngjarjes, Dhimitër Kuqi, është shoqëruar menjëherë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.