Skip to content

E Bujshme!!! Ish-zyrtari i larte shpallet në kërkim nga Britania

Një zhvillim i papritur ka ndodhur në një nga çështjet më misterioze të tranzicionit shqiptar, atë të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Policia e Londrës ka shpallur në kërkim Ilir Kumbaron, ish-kreun e zyrës së SHIK (Shërbimi Informativ Kombëtar) të Tiranës para vitit 1997, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë prej vitit 2011.

Kumbaro, sot 70 vjeç, është dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri me 15 vite burg për rrëmbim dhe torturë të Remzi Hoxhës. Ai u arrestua në Britaninë e Madhe në vitin 2008, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, por u zhduk gjatë procesit gjyqësor në vitin 2011, në kohën kur pritej vendimi për ekstradimin e tij.

Akuza për rrëmbim dhe torturë të Remzi Hoxhës

Sipas njoftimit të Policisë Metropolitane të Londrës, Kumbaro po kërkohet aktualisht për veprën penale të emigracionit të paligjshëm, pasi dyshohet se ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paautorizuar. Megjithatë, njoftimi thekson se urdhër-arresti evropian i lëshuar në vitin 2011 lidhej me akuzat për “Torturë dhe Rrëmbim të Personit”.

Remzi Hoxha, biznesmen shqiptaro-maqedonas, u rrëmbye në vitin 1995 në Tiranë. Dëshmitë dhe hetimet e mëvonshme sugjeruan se ai ishte marrë nga zyrtarë të SHIK-ut në rrugën “Siri Kodra” dhe ishte zhvendosur në bazën e SHIK-ut në Kune Vain të Lezhës. Trupi i tij nuk u gjet asnjëherë. Bashkë me Hoxhën, u rrëmbyen edhe Zizo Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Ngjarja ka mbetur e pazbardhur plotësisht, pavarësisht dëshmive dhe kërkesave të vazhdueshme nga familjarët.

Kërkimi i Kumbaros nga policia britanike hap sërish dosjen e këtij krimi të rëndë dhe ngre pyetje mbi praninë e tij të mundshme në ishull.

Published inLajme