Autoritetet turke ndodhen në alarm pas zhdukjes së biznesmenit të njohur Halit Yukay, themelues i kompanisë së jahteve luksoze “Mazu Yachts”. Ai është shpallur i humbur që prej mbrëmjes së shtunës, kur u nis me jahtin e tij nga Turqia drejt ishullit grek të Mykonosit.
Jahti “Graywolf” i 43-vjeçarit u gjet dje, gjysmë i mbytur dhe i dëmtuar rëndë, në ujërat pranë ishullit Prokonnisos, në Detin e Marmaras. Familjarët dhanë alarmin pasi humbën kontaktet me të pak pas nisjes. Roja bregdetare, e njoftuar zyrtarisht të hënën në mbrëmje, nisi menjëherë operacionet e kërkimit.
Për gjetjen e biznesmenit janë angazhuar një helikopter, mjete lundruese të rojes bregdetare dhe zhytës profesionistë. Megjithatë, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kërkimet vijojnë intensivisht.
Halit Yukay, i cili e nisi karrierën si punëtor në kantierë detare, themeloi kompaninë e tij në vitin 2011, duke e shndërruar atë në një emër të njohur për jahtet me dizajne moderne dhe teknologji të avancuara.