Arratisja e papritur e Endri Fugës në Xhakarta dhe arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj kanë shkaktuar një përçarje të thellë në ekuilibrin mediatik të Rilindjes. Grupi i gazetarëve dhe mediave, dikur i dirigjuar nga Fuga në shërbim të propagandës qeveritare, është ndarë në dy kampe të ndryshme: njëri që mbështet Veliajn duke sulmuar SPAK-un dhe tjetri që mbetet në pritje të udhëzimeve nga Kryeministri Rama.
Ky konflikt u bë publik pas përgjimeve të SPAK-ut, ku Veliaj, nga qelia, jepte udhëzime të drejtpërdrejta vëllait të tij, Arbër Veliaj, për të nisur një fushatë sulmi ndaj prokurorëve dhe gjyqtarit të çështjes përmes mediave besnike. Në dosje përmenden me emër Gazeta Dita, Gazeta Tema e Mero Bazes, Shqiptarja.com dhe Report TV të Carlo Bollinos, si dhe Mira Kazhani (Tiranapost), të cilat koordinohen për të krijuar një narrativë pro-Veliaj dhe anti-drejtësi. Këto media, të ndërtuara dhe menaxhuar nga Fuga që prej vitit 2013, me kalimin e kohës kishin kaluar nën kontrollin e Veliajt, duke krijuar një pushtet paralel.
Lidhja e vjetër dhe aleanca strategjike Fuga-Veliaj-Baze
Endri Fuga nuk ishte thjesht një zëdhënës. Ai ishte një strateg me ndikim të madh mbi media, ministra dhe oligarkë. Miqësia dhe aleanca e tij me Erion Veliajn daton që nga themelimi i lëvizjes “MJAFT!” në vitin 2002. Më vonë, në vitet 2006-2007, kësaj dysheje iu bashkua edhe gazetari Mero Baze, duke krijuar një front të unifikuar që për vite me radhë ndërtoi një propagandë të sofistikuar ndaj kundërshtarëve politikë. Kjo treshe ndërtonte narrativën, orientonte opinionin publik dhe bënte presion ndaj institucioneve.
Tani, me arrestimin e Veliajt dhe largimin e Fugës, kjo aleancë është ndarë. Mero Baze duket se është pozicionuar si antagonist i Ramës, të cilin e sulmon indirekt, por në fakt synon të godasë vendimin e tij për të lejuar fundosjen e Veliajt. Përplasja aktuale është bërë e dukshme me sulmet e Bazes drejtpërdrejt ndaj ministrit Ulsi Manja, duke lënë të kuptohet se autor i vërtetë i këtij aksioni është vetë Kryeministri.
Ikja e Fugës dhe ndryshimi i ekuilibrit
Ndonëse Fuga dha dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Agjencisë së Komunikimit në mars 2023, largimi i tij ishte një tjetër shenjë e përplasjes në rritje mes Ramës dhe Veliajt. Për 15 muaj rresht, pozicioni mbeti bosh, derisa në qershor 2025 u emërua Manjola Hasa, duke konfirmuar përfundimisht shkëputjen e Fugës. Ky i fundit kishte ndërtuar një pushtet paralel, duke menaxhuar komunikimin publik sipas axhendës së tij dhe aleatëve.
Sot, mediat që i përgjigjeshin kësaj aleance janë hedhur në një sulm të hapur kundër sistemit të drejtësisë, duke e paraqitur Veliajn si viktimë dhe SPAK-un si dorë e zezë politike. Ndërkohë, mediat që konsiderohen më afër Ramës, si Top Channel, TV Klan dhe ABC News, kanë zgjedhur një heshtje strategjike, duke shmangur thellimin e temës dhe duke refuzuar të përfshihen në këtë fushatë sulmesh. Ky pozicionim i ndryshëm zbulon një ndarje të qartë dhe të paprecedentë në makinerinë mediatike të qeverisë.