Skip to content

Tjetër ngjarje e rëndë në vend, ka viktima

Një tjetër tragjedi ka goditur minierën e Bulqizës. Mesditën e sotme, minatori Fari Veliu, 60 vjeç, ka humbur jetën gjatë një aksidenti në punë në një subjekt minerar në pronësi të “Jeton Dani”.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, Veliu u zunë poshtë nga një masiv kromi që u shkëput dhe u shemb brenda galerisë, ndërsa ai po kryente punën e tij të përditshme. Fatkeqësisht, minatori nuk arriti të shpëtonte.

Trupi i pajetë i Veliut është nxjerrë nga galeria dhe është dërguar menjëherë në morg, pasi aksidenti nuk ndodhi në thellësi të madhe të minierës. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti me pasoja fatale.

Ky incident i shtohet listës së gjatë të aksidenteve në minierat e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah edhe një herë rrezikshmërinë e lartë të punës nëntokësore dhe nevojën urgjente për forcimin e masave të sigurisë për të mbrojtur jetën e minatorëve. Për familjen Veliu, kjo ditë e zezë shënon një humbje të pakthyeshme, ndërsa për opinionin publik, ajo shërben si një kujtesë e hidhur e kostos njerëzore që ka puna në kushte të vështira.

Published inLajme