Skip to content

Kush është mashtruesi që u arrestua në Tiranë. Policia e kap me një vajzë duke…

Pas denoncimeve të shumta në media, Policia e Tiranës ka arrestuar Erjon Hoxhën, 21-vjeçarin nga Paskuqani i njohur si mashtrues serial. Operacioni i koduar “Strategjia” u finalizua me sukses në momentin kur Hoxha po shkonte të merrte një shumë parash nga një 26-vjeçare, të cilën e kishte mashtruar edhe më parë.

Arrestimi i tij vjen pas një serie denoncimesh ku ai akuzohej se kishte mashtruar qytetarë, kryesisht vajza, duke u marrë shuma parash, bizhuteri ari dhe duke krijuar borxhe ndaj bizneseve në Tiranë. Një prej rasteve të fundit të denoncuara ishte largimi pa paguar nga një hotel në fshatin turistik Palasë, ku kishte lënë një faturë prej 450 eurosh.

Jetë luksoze, në kërkim nga policia
Ajo që e bën më të pazakontë këtë rast është fakti se, ndonëse ishte shpallur në kërkim, Erjon Hoxha nuk hezitonte të reklamonte në rrjetet sociale një jetë luksoze me makina, vila dhe shuma të mëdha parash. Kjo shfaqje sfiduese e pasurisë, origjina e së cilës ende nuk dihet, ka shkaktuar zemërim te viktimat e tij.

Policia e Tiranës, në njoftimin e saj, thekson se arrestimi u bë në flagrancë dhe se po vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera mashtrimi që mund të ketë kryer 21-vjeçari. Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Published inLajme