Tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas lëvizjeve ushtarake strategjike nga dy fuqitë botërore, Rusia dhe SHBA.
Sipas një raporti të Insider UA, presidenti rus Vladimir Putin ka zhvendosur të hënën të paktën katër bombardues të rëndë Tu-95MS më pranë Evropës. Këta avionë strategjikë, që përdoren shpesh për të bombarduar Ukrainën, thuhet se janë të ngarkuar me raketa, duke krijuar një “probabilitet të lartë” për një sulm të afërt. Kjo lëvizje e papritur pason një sulm të guximshëm me dron nga Ukraina më 1 qershor, i cili e detyroi Rusinë të zhvendoste fillimisht avionët nga baza ajrore Olenya dhe Engels-2 në Ukrainka, 5,900 kilometra në lindje të Moskës, ku konsideroheshin të sigurt.
Ky ripozicionim i bombarduesve vjen si përgjigje ndaj veprimeve të presidentit amerikan Donald Trump. Të dielën vonë, Trump urdhëroi dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore afër Rusisë, pas një kërcënimi për luftë atomike nga aleati i afërt i kreut të Kremlinit, Dmitry Medvedev. “Nënndetëset amerikane tani janë aty ku duhet të jenë,” tha Trump.
Këto zhvillime ndodhin vetëm pak ditë para udhëtimit të dërguarit special të Trump-it, Steve Witkoff, i cili pritet të udhëtojë në Rusi këtë javë. Witkoff do të arrijë në Moskë të mërkurën, përpara se SHBA të vendosë sanksione ndaj Kremlinit, nëse nuk ndërmerret një hap drejt armëpushimit dhe bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë.