India po financon luftën e Rusisë në Ukrainë, duke blerë naftë nga Moska. Kjo akuzë erdhi nga një bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit amerikan Donald Trump, pas thirrjeve të këtij të fundit ndaj Nju Delhit për të ndaluar blerjen e naftës ruse.
Në një prononcim për Fox News, Stephen Miller, ish-zëvendës shefi i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë dhe një prej këshilltarëve më të besuar të Trump, kritikoi ashpër Indinë. Ai theksoi se India, e cila hiqet si një prej partnerëve më të afërt të SHBA-së, nuk pranon produktet e tyre, por vazhdon të blejë naftë ruse. “Është e papranueshme për Indinë të vazhdojë financimin e kësaj lufte,” tha Miller. “Njerëzit do të shokohen kur të mësojnë se India është praktikisht e lidhur me Kinën në blerjen e naftës ruse. Ky është një fakt befasues.”
Kritika e Miller shënon një nga komentet më të forta të administratës Trump deri më tani ndaj një prej partnerëve kryesorë të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor.
Ambasada Indiane në Uashington nuk ka dhënë ende një koment, por burime të qeverisë indiane thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se Nju Delhi do të vazhdojë të blejë naftë nga Moska, pavarësisht kërcënimeve.
Si pasojë e blerjes së pajisjeve ushtarake dhe energjetike nga Rusia, një tarifë prej 25% ndaj produkteve indiane hyri në fuqi të premten. Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 100% ndaj importeve indiane në SHBA, deri në momentin që Moska të pranojë një marrëveshje paqeje me Ukrainën.