Skip to content

U zbulua nga berberi që e qethi, si u kap në hotel Flodian Plaku – Detajet

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor që çoi në arrestimin e Flodian Plakut, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024. Arrestimi u krye në Hotel “Doko” në Radhimë të Vlorës, ku Plaku ndodhej me mikun e tij Julian Aliaj. Mënyra e lokalizimit të tij nga Forcat Operacionale ka qenë e pazakontë.

Edhe pse besohej se ndodhej në Spanjë, përgjimet e miqve dhe familjarëve të tij tregonin se Plaku kishte qëndruar në Orikum për katër muaj. Një sinjal kyç për vendndodhjen e tij u dha kur një berber nga Vlora u porosit nga miqtë e Plakut për t’i shkuar atij në hotel për t’u qethur. Agjentët e operacionales ndoqën me përpikmëri berberin deri në ambientet e hotelit, duke konfirmuar vendndodhjen e Plakut. Pas kësaj, një njësi e repartit RENEA ndërhyri blic dhe e arrestoi atë.

Gjatë arrestimit, Plakut i janë gjetur dy armë zjarri. Gjatë operacionit u ndaluan edhe shtatë persona të tjerë që e shoqëronin 42-vjeçarin. Identifikimi i Plakut si autor i vrasjes së Gentjan Bejtjas u bë i mundur përmes një analize ADN-je, pasi gjurmët e gishtave të tij u gjetën në një makinë Golf 7, e cila dyshohet se u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Gjurma biologjike e gjetur në makinë përputhej me një mostër të marrë në vitin 2019, kur Plaku ishte arrestuar për trafik droge.

Published inLajme