Skip to content

Tragjedi ne det, dhjetëra të vdekur – Detajet

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në brigjet jugore të Jemenit, ku një anije me rreth 150 migrantë u fundos gjatë motit të keq. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), mbi 60 persona kanë humbur jetën, shumica prej tyre shtetas etiopianë. Deri tani, janë gjetur 68 trupa të pajetë, ndërsa 12 persona janë shpëtuar. Dhjetëra të tjerë konsiderohen ende të zhdukur.

Incidenti ndodhi ditën e diel, përballë provincës Abyan. Përfaqësuesi i IOM në Jemen, Abdusattor Esoev, e cilësoi ngjarjen si një incident tragjik dhe “zemërthyes”. Anija mendohet se po transportonte 157 migrantë, të cilët po përpiqeshin të kalonin nëpër një nga segmentet më të përdorura nga trafikantët e qenieve njerëzore në rajon.

Jemeni mbetet një nga rrugët kryesore të kalimit për migrantët nga Afrika Lindore, veçanërisht nga Briri i Afrikës, të cilët kërkojnë të arrijnë në shtetet e Gjirit Persik. IOM vlerëson se qindra persona janë mbytur ose janë zhdukur në përpjekje për të kaluar këtë rrugë detare jashtëzakonisht të rrezikshme.

Trupat e 54 migrantëve u gjetën në bregun e rrethit jugor Khanfar, ndërsa 14 të tjerë u dërguan në morgun e spitalit të qytetit Zinjibar. Kjo tragjedi nënvizon edhe një herë rreziqet e mëdha me të cilat përballen migrantët në kërkim të një jete më të mirë.

Published inLajme