Një moment që ishte menduar të mbetej në kujtesë si një histori dashurie e paharrueshme, mori një kthesë tragjike brenda pak sekondave. Çifti kishte zgjedhur një mënyrë unike e spektakolare për t’u fejuar – një propozim martese nga ajri, mbi një avion të vogël të tipit “Ultra Light”.
Por, ajo që nisi si një fluturim romantik mbi fushat e gjelbëruara të zonës Yüreğir, pranë pistës “Kelaynak”, përfundoi në një përplasje të tmerrshme.
Në bord ndodheshin piloti 39-vjeçar, Burak Yürekli, dhe 32-vjeçarja Şeyda Doğan, e cila nuk e dinte se në këtë fluturim e priste surpriza më e madhe e jetës së saj. Nga toka, partneri i saj, përmes radios, i drejtoi pyetjen që çdo e dashuruar pret një ditë të dëgjojë: “A do të martohesh me mua?”. Mes emocionit dhe buzëqeshjeve, Şeyda tha “Po”, ndërsa të pranishmit në tokë duartrokisnin dhe regjistronin momentin e paharrueshëm.
Por gëzimi zgjati vetëm disa sekonda. Menjëherë pas përgjigjes së saj, avioni humbi papritur kontrollin. Pamjet filmike tregojnë sesi fluturakja filloi të lëkundej dhe më pas u zhyt me shpejtësi, duke u përplasur dhunshëm në një plantacion agrumesh, vetëm pak metra larg pistës së uljes.
Në vendngjarje mbërritën me shpejtësi ambulancat dhe ekipet e shpëtimit. Burak Yürekli dhe Şeyda Doğan u nxorën me vështirësi nga rrënojat e avionit dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Universitar të Adanasë. Burime mjekësore raportojnë se të dy ndodhen në gjendje kritike, duke luftuar për jetën.
Autoritetet turke kanë nisur një hetim të detajuar për të zbuluar shkaqet e aksidentit, ndërsa qytetarët e Adanasë dhe miqtë e çiftit janë tronditur thellë nga kjo tragjedi që shkatërroi në çast një moment dashurie që duhej të ishte i përjetshëm.