Bashkimi Evropian ka njoftuar se sistemi i ri i kontrollit kufitar, i quajtur EES (Entry/Exit System), do të fillojë të zbatohet në tetor. Ky sistem, i cili do t’i japë fund vendosjes së vulave në pasaporta, synon të modernizojë dhe të rrisë sigurinë në kufijtë e bllokut. Fillimisht, zbatimi i tij ishte paraparë për nëntorin e vitit të kaluar, por u shty për shkak të mungesës së përgatitjes në disa shtete anëtare.
Zbatimi gradual dhe qëllimi i sistemit
Sistemi do të nisë të zbatohet gradualisht më 12 tetor 2025 në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, përfshirë edhe ato të zonës Schengen. Ky zbatim i fazuar do t’u japë kohë autoriteteve dhe pasagjerëve për t’u përshtatur me procedurat e reja. EES do të vlejë për shtetasit e rreth 60 vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, duke përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Sistemi do të regjistrojë të dhënat e hyrjeve dhe daljeve të vizitorëve, si dhe do të identifikojë qëndrimet e tejzgjatura. Për të udhëtuar, vizitorëve do t’u mblidhen të dhëna personale dhe biometrike, si fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtave.
Frika nga pritjet e gjata dhe masat parandaluese
Pavarësisht përfitimeve në siguri, zbatimi i EES ka ngritur shqetësime se mund të shkaktojë radhë dhe pritje të gjata në kufij. Ministria e Jashtme e Britanisë ka paralajmëruar udhëtarët që të përgatiten për pritje më të gjata se zakonisht.
Komisioni Evropian ka njoftuar se para nisjes së sistemit, do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe pika kufitare për të ndihmuar udhëtarët dhe bizneset të përshtaten. Zbatimi i tij gradual synon të zbusë impaktin e menjëhershëm.