Një rast i rëndë dhune në familje ka tronditur opinionin publik, pasi një nënë shqiptare ka mbërritur në Shqipëri me shenja të dukshme dhune pas një viti të tërë abuzimesh fizike të ushtruara nga djali i saj në ishullin Nidhra të Greqisë. Denoncimi është bërë publikisht nga nipi i viktimës, i cili i ka drejtuar një thirrje të fortë mediave dhe autoriteteve për të ndërhyrë dhe për të sjellë autorin para drejtësisë.
Sipas dëshmive të familjarëve dhe pamjeve që ata kanë publikuar, viktima – një gjyshe e moshuar – është kthyer në Shqipëri me gjysmë fytyre të nxirë, me plagë në kokë dhe shenja të shumta në trup. Dhuna është denoncuar si e vazhdueshme dhe sistematike gjatë një periudhe mbi 12 mujore, kohë gjatë së cilës familjarët nuk kanë qenë të vetëdijshëm për situatën.
“Dhemb gjysma e kokës, sepse e kishte goditur në kokë. Nuk e di por, t’ia bëjë djali nënës këtë, nuk kisha parë,” – shprehet një familjare në një video ku shihet gjendja e trishtë e viktimës. Sipas tyre, autori është një burrë me emrin Njazi Shehu, i cili ndodhet ende në Greqi dhe që ka një lidhje të drejtpërdrejtë gjaku me viktimën. Familja kërkon drejtësi dhe thekson se i gjithë fisi e ka mohuar aktin e rëndë dhe është distancuar prej tij.
Ky rast ka shkaktuar revoltë të thellë brenda familjes, e cila ka kërkuar që rasti të bëhet publik dhe që autoritetet shqiptare dhe ato greke të marrin masa të menjëhershme ligjore. Sipas familjarëve, vetëm pas ardhjes së viktimës në Shqipëri u zbulua e vërteta, pasi ajo nuk kishte pasur mundësi të njoftonte askënd më parë për atë që po kalonte.
Autorët e dhunës në familje nuk mund të qëndrojnë të pandëshkuar – ky është mesazhi i fortë që familja dëshiron të përcjellë përmes këtij rasti tronditës. Ata shpresojnë që rasti të shërbejë si shembull për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
View this post on Instagram
