Një grua 48-vjeçare nga Tropoja është zhdukur prej datës 22 korrik, ditën kur humbi çdo kontakt me familjen, fëmijët dhe të afërmit e saj. Denoncimi është bërë nga të afërmit e saj, të cilët janë shqetësuar thellësisht pasi nuk kanë mundur ta kontaktojnë prej ditësh.
Menjëherë pas denoncimit, Policia e Kukësit ka nisur hetimet intensive, duke marrë në pyetje familjarë të 48-vjeçares, përfshirë edhe fëmijët e saj. Si rezultat i hetimeve paraprake, dyshohet se në zhdukjen e gruas mund të ketë gisht bashkëshorti i saj, 58-vjeçari Imer Shpata, i cili njihet për dhunë të vazhdueshme në familje.
Policia ka arrestuar 58-vjeçarin dhe ka kryer kontrolle në banesën e tij, ku janë gjetur dy armë zjarri. Burimet konfirmojnë se Imer Shpata ka qenë më parë i dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes, duke vuajtur një dënim prej 8 muajsh burg një vit më parë. Kjo histori e dhunës familjare e bën atë një të dyshuar kryesor në këtë rast.
Nga hetimet rezulton se 48-vjeçarja ka kontaktuar për herë të fundit në orën 22:00 të datës 22 korrik, kur ka folur me fëmijët në telefon. Po këtë natë, duke u gdhirë data 23 korrik, bashkëshorti i saj është larguar nga Tropoja drejt Durrësit me makinë, ku ka qëndruar tek e motra.
Një provë kyçe që ka ngritur dyshime të forta është gjetja e telefonit celular të 48-vjeçares në makinën e burrit të saj. I pyetur nga hetuesit, ai ka mohuar të dijë se si telefoni i gruas përfundoi në automjetin e tij, një deklaratë që shton dyshimet mbi përfshirjen e tij.
Policia e Kukësit vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Po këqyren pamjet filmike të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës Tropojë–Durrës, me shpresën për të gjetur detaje shtesë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të gruas së zhdukur. Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një akti të dhunshëm nga bashkëshorti i saj.
