Skip to content

Moti/ Sinoptikania: Ja çfarë do të ndodhë në Shqipëri deri në fundjavë

Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme ditën e martë, me motin që parashikohet me vranësira dhe reshje shiu, fillimisht në zonat veriperëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit. Kjo situatë vjen pas një periudhe me temperatura të larta dhe një mase ajri më të freskët që ka përfshirë Evropën dhe Ballkanin.

Sinoptikania e “Meteoalb”, Lajda Porja, në një lidhje direkte me studion e lajmeve në “Ora News”, solli parashikimin e motit për orët dhe ditët në vijim. “Jemi nën ndikimin e situatës termike duke filluar që nga dita e diel dhe pasi kaluam ditë me temperatura shumë të larta, moti ka qenë me temperatura shumë më të freskëta kjo për shkak të një mase ajri më të freskët që ka përfshirë Evropën,” shpjegoi ajo.

Një situatë e ngjashme ndodhi dhe mbrëmjen e djeshme në vendin tonë, kryesisht në veri dhe në Shqipërinë qendrore. Edhe sot mbetet situata e paqëndrueshme me reshje shiu, por ato do të jenë shumë më të pakta. Reshjet do të jenë kryesisht në Veri dhe në zonat qendrore, ndërsa Jugu mbetet pa reshje.

Sipas Porjes, do të ketë një përmirësim të situatës sa i përket ditës së nesërme (e mërkurë). Megjithatë, dita e enjte do të sjellë sërish reshje, ku sërish në fokus do të jetë veriu dhe pjesa lindore e vendit, duke përfshirë Librazhdin, Elbasanin dhe rrethinat e Tiranës.

“Reshjet do t’i kemi prezente të paktën deri të premten. Në fundjavë do të kemi një qëndrueshmëri të kushteve dhe një përmirësim të dukshëm të situatës së motit,” u shpreh ndër të tjera sinoptikania Lajda Porja. Kjo tregon se fundjava pritet të sjellë një kthim në kushte më të favorshme atmosferike.

Duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë atmosferike, këshillohet që qytetarët të jenë të kujdesshëm, veçanërisht ata që udhëtojnë në zonat e prekura nga reshjet. Monitorimi i parashikimeve të motit dhe marrja e masave paraprake janë thelbësore për të shmangur çdo problem të mundshëm.

Published inLajme