Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pogradecit, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet pa shenja jete në banesën e saj, e cila ishte përfshirë nga flakët. Fillimisht u dyshua se kishte humbur jetën nga asfikësia, por më pas u zbuluan shenjat e thikës në qafë, të cilat zbuluan se bëhet fjalë për vrasje. Autori i dyshuar i krimit është i dashuri i saj, Ilirjan Selmani.
Hetimet kanë zbardhur dinamikën e krimit. Dyshohet se Ilirjan Selmani, 37 vjeç, i cili kishte një lidhje 1nt1me me Kozeta Teçon, fillimisht e ka vrarë 52-vjeçaren me thikë. Më pas, ai ka tentuar të fshijë gjurmët e krimit duke pastruar vendin dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë.
Megjithatë, përpjekja e tij për të humbur gjurmët dështoi. I riu ka ndezur disa vatra zjarri në banesë, por u kap nga kamerat e sigurisë duke hedhur diçka në koshin e mbeturinave aty pranë. Brenda koshave, policia gjeti peshqirë dhe kartopeceta me gjaKun e viktimës, të cilat ishin përdorur nga Selmani për të zhdukur provat dhe për të pastruar vendin e ngjarjes.
Autori është shoqëruar menjëherë në polici dhe po merret në pyetje për të zbardhur motivin që e shtyu të vriste partneren e tij. Në momentin kur po shoqërohej nga policia, i riu shfaqej i buzëqeshur para kamerave dhe iu drejtua gazetarëve me fjalët “Nuk jam unë vrasës, jo”, duke mohuar krimin.
Për autorin dihet se ai punonte herë pas here në ndërtim apo në Greqi, dhe rezulton gjithashtu të ketë qenë përdorues i lëndëve narkotike. Një detaj shqetësues është se 37-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe përfitonte pagesë invaliditeti për shkak të gjendjes së tij.
Një motiv i dyshuar për vrasjen lidhet me paratë. Teço, në biseda me persona të afërt, kishte pohuar se Selmani i kishte marrë rreth 20 milionë lekë në total gjatë viteve të lidhjes. Paratë, sipas saj, i vinin nga motrat që jetonin në Greqi dhe Tiranë. Madje, motra e viktimës e kishte vizituar disa orë para se ajo të vritej dhe ishte kthyer për në Tiranë. Çfarë kanë diskutuar me njëra-tjetrën, ende nuk dihet.
Pas vrasjes, Selmani është takuar me disa të njohur të tij, të cilëve u ka pohuar se kishte vendosur të ndahej nga Kozeta me pretendimin se ajo kishte krijuar një lidhje tjetër. Por e gjitha ishte një alibi që nuk e shpëtoi dot nga prangat.
Sotiraq Teço, kushëriri i viktimës, ka dhënë detajet për të cilat ai është në dijeni. “Nuk di gjë, nuk ndërhyj dot në gjëra që nuk më lejohet. Kozeta jetonte e vetme kohët e fundit. Unë kam 20 vite që kam ikur, tre ditë kam që u ktheva nga Anglia. Isha në Niçë, zbrita nga atje, u lajmëruam dhe po vijnë e familjarë të tjerë. Nuk e dija që bëhej fjalë për Kozetën, e dija sikur bëhej fjalë për motrën e madhe se ajo njëherë e ndarë. Për këtë nuk di gjë. Sa i përket kësaj ngjarje, e di shteti. Unë jam me shtetin, të japë drejtësi,” tha ai për mikrofonin e Top Channel.
“Ishte shumë njeri i mirë. Jetonte vetëm. Unë kam dalë nga banesa në orën 4:30, kam ikur në Maqedoni. Nuk pashë gjë kur ika. Tani e mora vesh. Dje ishte e motra këtu, por ajo banon në Tiranë,” është shprehur kushëriri i viktimës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
