Skip to content

Mjerë ajo familje! Mbytet 16 vjecari në vend, shoku i tij përfundon në spital

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin këtë të enjte, me pasojë humbjen tragjike të jetës së një 16-vjeçari në ujërat e lagunës së Patokut. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur dy të mitur, të dy moshatarë, kanë hyrë për t’u larë në zonën që lidh lagunën me detin.

Sipas të dhënave të para nga Policia e Shtetit, dy të rinjtë kishin vendosur të kalonin përmes një kanali që lidh lagunën me detin Adriatik, një zonë me ujëra të turbullta dhe me rryma të paparashikueshme, e njohur për vështirësitë që paraqet për notarët e papërgatitur.

Fatkeqësisht, gjatë larjes, njëri prej tyre ka humbur ndjenjat në ujë dhe është mbytur. Deri në orët e mbrëmjes, trupi i pajetë nuk ishte gjetur ende, ndërsa shoku i tij u nxorr nga uji me ndihmën e banorëve të zonës dhe u transportua me urgjencë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

“Sot, më datë 24.07.2025, rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin.
Ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.”

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, efektivë të RENEA-s me pajisje zhytjeje si dhe forcat zjarrfikëse, të cilët kanë nisur kërkimet në ujë me qëllim gjetjen e trupit të pajetë të të miturit.

Zonë me precedentë tragjikë

Luguna e Patokut dhe segmenti që lidh atë me detin janë kthyer në vitet e fundit në zonë me rrezik të lartë për notuesit, për shkak të thellësisë së papritur, rrjedhës së fortë dhe mungesës së sinjalistikës apo vëzhgimit të organizuar. Në të kaluarën, ngjarje të ngjashme me pasoja fatale janë regjistruar pikërisht në këtë zonë, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur të rinjtë e vendit i drejtohen ujërave për të shpëtuar nga vapa, shpesh pa ndërgjegjësim të plotë mbi rreziqet që mbart natyra.

Banorët e zonës kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për mungesën e rojeve bregdetare, mungesën e sinjalistikës paralajmëruese, si dhe mosndërhyrjen e autoriteteve për t’i dhënë fund rrezikut të përsëritur në këtë vend.

Reagim dhe hetime

Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të dokumentuar të plotë rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë nga autoritetet lokale në garantimin e sigurisë së jetës në këtë hapësirë ujore.

Ndërkohë, familjarët e të miturit të zhdukur janë në gjendje shoku, ndërsa banorët e zonës janë mbledhur pranë vendit të ngjarjes duke ndjekur me ankth operacionin e kërkimit.

Ngjarja e sotme është një tjetër alarm i fortë për autoritetet, që ndonëse në kulmin e sezonit turistik, vazhdojnë të injorojnë nevojën për siguri në zonat ujore të vendit, duke lënë fëmijët dhe të rinjtë në mëshirë të fatit.

Published inShowbizz