Kryeministri Edi Rama ka prezantuar zyrtarisht këtë të enjte një strukturë të re me profil të lartë teknologjik – të quajtur “Kryeinspektoriati Digjital i Territorit” – që sipas tij do të ketë si mision mbikëqyrjen, monitorimin dhe goditjen e çdo veprimi të paligjshëm në territorin shqiptar.
Sipas Ramës, kjo strukturë moderne do të jetë një “inovacion në qeverisje”, i cili do të lehtësojë punën e institucioneve shtetërore dhe njëkohësisht do të vështirësojë abuzimet, duke sjellë një mekanizëm të përqendruar dhe të digjitalizuar për kontrollin e territorit në të gjitha aspektet.
“Ju prezantoj me një tjetër inovacion të qeverisjes: Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit,” – shkruan Rama në postimin e tij, duke shpërndarë edhe një video që ilustron të dhënat që po mblidhen nga kjo strukturë e re në të gjithë Shqipërinë.
Një rrjet monitorimi për gjithë territorin
Kryeinspektoriati Digjital i Territorit do të ketë një gamasë të gjerë kompetencash, duke përfshirë: Kontrollin e ndërtimeve pa leje apo jashtë kritereve ligjore;
Mbikëqyrjen e pagesës së taksave dhe tarifave vendore; Inspektimin e aktivitetit bujqësor dhe tregut rural; Kontrollin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore si pyjet dhe lumenjtë.
Sipas Ramës, struktura e re do të funksionojë me një sistem të centralizuar dixhital, që do të mbledhë të dhëna në kohë reale, duke e bërë më të thjeshtë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përkatëse dhe më të pamundur fshihjen apo manipulimin e shkeljeve në territor.
Një “radar” i ri pas aksioneve të IKMT-së dhe Policisë
Prezantimi i kësaj strukture vjen pak javë pas valës së aksioneve intensive nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policia e Shtetit, të cilat kanë ndërhyrë në shumë zona të vendit për të liruar hapësirat publike të zaptuara nga biznese private.
Kryeinspektoriati Digjital i Territorit pritet të jetë një vazhdimësi institucionale dhe teknologjike e këtij aksioni, duke kaluar nga ndërhyrja me fadromë, në një monitorim të përhershëm dhe të padukshëm me satelitë, dronë, kamera inteligjente dhe databaza të integruara.
“Ky Kryeinspektoriat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor… duke e bërë punën e strukturave më të lehtë dhe zullumet më të vështira,” – shton Rama.
Një hap drejt shtetformimit apo tjetër fasadë teknologjike?
Megjithëse kryeministri e prezanton këtë nismë si një përparim drejt efikasitetit institucional dhe kontrollit ligjor, ka edhe nga ata që e shohin me dyshim dhe skepticizëm, duke e konsideruar thjesht një tjetër “pajisje me emër bombastik”, që rrezikon të mbetet letër e bukur, nëse nuk shoqërohet me vullnet politik, ndëshkim real dhe transparencë.
Në çdo rast, Kryeinspektoriati Digjital i Territorit është një strukturë që pritet të testojë kapacitetin real të shtetit shqiptar për të pastruar territorin nga kaosi urban, korrupsioni lokal dhe ndërhyrjet e paligjshme. Nëse do të funksionojë apo do të degradojë në një tjetër “platformë me serverë bosh”, mbetet për t’u parë.