Statusi nga gazetari Osman Stafa që zbardh ngjarjen me detaje, tituli i redaksisë.****
DYSHIMI PËR NEGLIZHENCË MJEKSORE QË SOLLI VDEKJEN E NJË BEBI
Të voglës E. Q. i dham sot lamtumirën e fundit.
Ajo ishte vajza e Xh., të cilin e kam si vëlla. Ishte vajza e M., e cila është si motra ime.
Prisnin të bëheshin prindër për herë të parë. Çdo gjë kishte shkuar shumë mirë gjatë gjithë shtatzënisë.
E ndoqën me mjekun A. Sh.
Të enjten e javës së shkuar, ata kryen kontrollet e nevojshme për bebin, dhe çdo gjë rezultoi në rregull.
Nëna atë ditë ishte në javën e 40-të të shtatzënisë.
Të premten në mbrëmje, nëna ndjeu se foshnja nuk po lëvizte, si zakonisht. Të shqetësuar, morën në telefon mjekun që e kishte ndjekur shtatzëninë, dhe ai u kërkoi të shkonin në urgjencën e maternitetit “Koço Glozheni”.
Shkuan rreth orës 21:50.
Mjeku i turnit atë natë ishte Dr. Kastriot Dallaku.
Ankesa e nënës ishte e qartë: “Fëmija nuk po lëviz si zakonisht.”
Mjeku i bëri një CTG (kardiotokografi), një grafik që monitoron rrahjet e zemrës së fetusit, por vetëm për disa minuta.
Më pas, u tha që gjithçka ishte në rregull dhe i kërkoi të shkonin në shtëpi.
Vetë babai i fëmijës i kërkoi disa herë mamisë që ishte në turn të kontrollonte ujërat, pasi ndienin se diçka nuk ishte në rregull. Kërkesat e tyre u shpërfillën.
Kur një grua shtatzënë, në javën e 40 + 1 ditë, paraqitet në urgjencë sepse nuk ndjen më lëvizjet e fetusit si më parë, dhe i bëhet vetëm një CTG e shkurtër e më pas dërgohet në shtëpi, ky është një veprim mjekësor i papërgjegjshëm dhe potencialisht fatal.
⁉️Pse?
1. Zvogëlimi i lëvizjeve të fetusit është një shenjë alarmi shumë serioze, veçanërisht në shtatzënitë post-term.
Mund të tregojë mungesë oksigjeni, plakje të placentës, apo komplikacione të tjera.
2. CTG për 7-8 minuta nuk mjafton.
Duhej bërë monitorim për të paktën 20 minuta, bashkë me:
Ekografi për Dopplerin fetal dhe matjen e likidit amniotik (AFI),
Testi i profilit biofizik.
3. Shtatzënia ishte post-term.
Pas javës së 40-të, rreziku rritet çdo ditë. Në prani të zvogëlimit të lëvizjeve, kjo është arsye e mjaftueshme për shtrim dhe ndoshta për të nisur lindjen.
Asgjë nga këto nuk u bë. Mjeku neglizhoi në mënyrë të frikshme rastin. farë ndodhi më pas?
Pas “qetësimit” nga mjeku, çifti u kthye në shtëpi.
Të shtunën rreth orës 14:00, nëna kishte temperaturë 38°C.
Lajmërojnë menjëherë mjekun e ndjekjes, i cili u kërkon të shkojnë sërish në urgjencë.
Shkojnë në maternitet, ku i pret Dr. Anika Dokle. Ajo, në mënyrë të menjëhershme dhe profesionale, realizon lindjen me operacion në më pak se 7 minuta.
E falënderojmë pafund për shpëtimin e jetës së nënës dhe përpjekjen për të shpëtuar beben, të cilën e nxori në rrahjet e fundit të zemrës.
E porsalindura u intubua menjëherë dhe u transferua në reanimacion.
Falënderojmë gjithashtu Drejtorin e Spitalit, Dr. Genci Hyska, për praninë dhe angazhimin e tij.
Mirënjohje edhe për Dr. Alketa Qosjen dhe ekipin e reanimacionit që bënë gjithçka ishte e mundur.
Por fatkeqësisht, sipas mjekëve, fëmija ndërroi jetë të hënën nga insuficienca multiorganore.
Kjo është tragjedia e së voglës E. Q.
Një jetë e pafajshme që nuk pati mundësinë të jetojë, për shkak të neglizhencës kriminale të një mjeku, që nuk dëgjoi, nuk pa, nuk reagoi.
Një vdekje që mund të ishte shmangur.
E kemi bërë kallëzimin penal.
E kemi kryer autopsinë.
E kemi varrosur sot.
Por nuk do ta mbyllim këtë histori këtu.
Sepse nuk dua që një tjetër prind, një tjetër vajzë, një tjetër engjëll, të kalojë të njëjtën tragjedi.