Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pësuar një helmim ushqimor, duke u detyruar të anulojë pjesëmarrjen në takime të rëndësishme qeveritare. Lajmi u konfirmua nga zyra e tij, duke njoftuar se Netanyahu, 75 vjeç, është në gjendje të qëndrueshme por nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, Netanyahu gjatë natës ka shfaqur simptoma të rënda të inflamacionit të zorrëve dhe dehidratim. Mjekët kanë vendosur ta trajtojnë me serum dhe t’i rekomandojnë pushim të detyruar për të paktën tre ditë. Kjo do të thotë që aktivitetet e tij qeveritare do të vijojnë përkohësisht në distancë, nga rezidenca e tij.
Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu përballet me probleme shëndetësore. Vetëm vitin e kaluar ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për vendosjen e një pajisjeje kardiake (pacemaker), ndërsa në dhjetor 2024 iu nënshtrua një operacioni për prostatën pas një infeksioni urinar.
Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se pavarësisht situatës, ai do të vijojë të jetë në kontakt me kabinetin dhe do të ndjekë zhvillimet e rëndësishme nga shtëpia. Gjendja e tij pritet të përmirësohet në ditët në vijim, ndërsa qytetarët janë informuar se nuk ka vend për panik.