Skip to content

Kush fshihet pas arrestimit të ‘Shefit te Bankers’! Cili eshte synimi i erret dhe cfare na pret

INTRO: Kjo info-analizë e gjatë përpiqet të eksplorojë rrethanat dhe motivet e arrestimeve të (ish)/drejtuesëve kyç të koorporatës Bankers Petroleum. Shkrimi është konceptuar në dy kapituj. Në kapitullin e parë bëhet një vëzhgim mbi dosjen penale të prokurorisë së Fierit, në kapitullin e dytë tentohet një eksplorim i motiveve të fshehura i asaj që po ndodh.

Kapitulli 1. Në Fier toka zien

Rreth vitit 2010, kur sektorin e Energjisë e komandonte Ilir Meta dhe LSI, një autokolonë me 5 fuoristrada ndaloi para “Sky Tower” në Tiranë. Autokolona i përkiste një të ashtuquajturi “i fortë” në Fier. Ai po priste biznesmenin Rezart Taçi të zbriste nga zyra. Ishin rivalë, për një tender prej afro 70 mijë ton naftë që Albpetrol e kishte nxjerrë në ankand. Bëhej fjalë për një sasi nafte që Albpetrol e përfitonte nga ndarja e prodhimit me Bankers Petroleum.

Asokohe në garë për ankandin ishin Rezart Taçi (i cili perceptohej si lidhje e ish-kryeministrit të kohës Berisha) dhe grupi në fjalë, që operonte në terren në mbështetje të ish-ministrit të Energjisë Ilir Meta.
Autokolona kishte ndaluar veç për të thënë një fjalë drejt e në sy: “Mund edhe ta marrësh ti tenderin, por s’e gëzon dot; nuk shkel dot në Fier”.

Në lojë u futën negociatorë politikë dhe si përfundim ky grup i qytetit mori tenderin e shumë përfolur.
Ky moment ka qenë ndoshta një nga treguesit më të fortë të degradimit të sektorit hidrokarbur, një sektor që dikur përfshinte ajkën inxhinierike dhe menaxheriale të qytetit, kishte nisur të funksiononte me të njëjtin mentalitet të tregut të heroinës. Dekadencë dhe porkeri e paparë.

Por paradokset nuk mbaruan këtu sepse “tortës” që ishte gatuar, ju vendos dhe qershia mbi të.
Pasi grupi mori tenderin, në mënyrë demonstrative u shtrua një darkë (me tava) festive, prezentë nuk ishin vetëm operativë dhe lejtnantë të grupit, aty në odë qëndronte dhe prokurori i rrethit Fier; edhe një titullar i gjykatës së Fierit, drejtorë e përfaqësues politikë, të cilët në fillim të darkës dëgjuan dollibashin që tha ca fjaë të shkurtra, me pakëz zhargon rruge:

“Paskemi qenë budallenj. Na është q*rë nëna kot duke rrezikuar me drogë nëpër Evropë në kërkim të parajsës. Parajsën e kemi këtu poshtë këmbëve tona dhe nuk e kemi ditur. Hajde gëzuar”.

– “Gëzuar, ta gëzosh“, – u përgjigjën dhe prokurori dhe gjykatësi dhe përfaqësuesit e politikës njëzëri.

15 vite më vonë pak gjëra kanë ndryshuar në klimën dhe mentalitetin e elitës së qytetit, ndaj dhe një hetim nga prokuroria e rrethit Fier për Bankers Petroleum, zor se vjen dot si iniciativë e një prokuroreje me vetëm 3 vite përvojë, apo me firmën e një gjykatëse rishtare. Logjika ta do se ajo dosje ka ustallarë nga pas, të fuqishëm madje, që tejkalojnë takatet e qytetit.

Hashtag.al ka ekzaminuar prej një jave dosjen dhe fashikujt, përfshirë dhe përgjimet e prokurorisë. Gjithçka ka nisur diku rreth muajit shkurt 2025 me shpejtësi, në mars janë autorizuar përgjimet, ishim në kulmin e fushatës elektorale. Ndërsa udhëheqësja politike e pushtetit, zonja Balluku, kishte nisur prej javësh të jetonte në Fier duke bërë listën e secilit biznes me shumë të punësuar dhe buxhete të rëndësishme në funksion të fushatës.

Indicion prokurorisë ja ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, një ish-prokuror që gjithashtu është promovuar nga zonja Balluku si kapo i tatimeve të vendit.

Nga krehja e dosjes vihen re këto detaje kryesore:

1. Leonidha Çobo, ish-drejtori I Bankers akuzohet se ka favorizuar me nënkontraktime të fryra kompaninë TEA&CO në pronësi të kunatës së tij. Ai shfaqet aktiv në Mars 2025 me shefin e Financës Ardit Kero në disa telefonata ku diskutohen çështje bankare. Bisedat sugjerojnë se të dy mund të jenë duke bërë biznes, indirekt. Por nuk shpjegohet kurrkund në dosje se si janë duke shkelur ligjin, të bësh biznes nuk është krim, por qëllim.

2. CEO kinez Xingyu Sun, konstatohet se ka faturuar kompani fiktive për të fryrë kostot dhe mashtruar.

3. Disa kompani avokatie ose studio konsulence të drejtuara nga Alket Hyseni, Eduart Halimi apo Besnik Çerekja janë konstatuar që kanë marrë shpërblime të mëdha dhe sipas prokurorisë kanë faturuar fiktivisht.

4. Përgjimet kanë interceptuar zyrën e financës dhe marketingut të Bankers, duke u përpjekur të negociojnë reklama dhe ndikim me TV Klan dhe Top Channel, askund nuk thuhet se çfarë shkelje përbën kjo, por bie në sy se Lori Hoxha e Top Channel përmendet me emër në dosje (e përflasin punonjëset e Bankers), ndërsa ngjan se prokurorit nuk i kujtohet emri i atij pronarit tjetër, atij të TV Klan. Futja e mediave TV Klan dhe Top Channel në dosje duket si mesazh i koduar që këto dy entitete t’i qëndrojnë larg asaj që po ndodh. Metodë klasike kompleksimi.

Dosja në tërësi nuk është se mban aromë jurisprudence, sepse terminologjinë dhe logjikën e dosjes e dominon aroma fiskale. Duket sikur përgjimet janë i vetmi hap që ka kryer prokurori, pjesa tjetër ka qenë e kopsitur nga tatimet. Për aq sa mund të quhet kopsitje.

Logjika fiskale e dosjes sugjeron se Leonidha Çobo në vitet paraardhëse, ka nënkontraktuar kompaninë TEA&CO për disa operacione hidrokarbure, e meqenëse kjo kompani drejtohej nga familjarët e tij, sipas fiskalistëve kjo përbën skemë mashtrimi dhe korrupsioni.

Mirëpo ka ca probleme ky pretendim. (VAZHDO LEXIMIN)

Published inLajme