Skip to content

Takimi në qeli i Laertit me modelen, zv.drejtori habit me deklaratën: Ajo …

Zëvendësdrejtori i Burgjeve, Femi Sufaj, ka pranuar publikisht takimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiut, me modelen nga Kosova, Ziza Pajaziti. Në një intervistë për “ReportTV”, Sufaj është shprehur se takimi ka ndodhur, por ka zgjatur shumë pak, duke hedhur dritë mbi një çështje që ka ngjallur debat të gjerë në media.

Ndërkohë që në media qarkullojnë edhe iniciale të vajzave të tjera të ekranit që dyshohet se futen brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit për takime “speciale”, zëvendësdrejtori i Burgjeve mohon të ketë raste të tjera të ngjashme.

Sufaj theksoi se vetëm gjatë muajit qershor, në burgje janë realizuar rreth 100 takime int1me. Këto takime, sipas ligjit, janë të lejuara vetëm për të burgosurit me bashkëshortet ose bashkëjetueset e tyre. Ai sqaroi se, përveç këtyre, janë realizuar edhe mbi 7 mijë takime me familjarët dhe mbi 1 mijë me avokatët.

Sa i takon rastit të Laert Haxhiut dhe Ziza Pajazitit, Sufaj tha se modelja në fjalë ka ardhur si “e afërme” dhe është futur në takim. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një takim të zgjatur, por është zhvilluar në dhomat e vizitave, të destinuara për takime me familjarët.

“U konstatua një shkelje e procedurave në burgun e Korçës, e cila vjen si e afërme dhe futet në takim,” tha Sufaj. Ai theksoi se Drejtoria e Burgjeve ka marrë masa administrative pas këtij rasti, pa specifikuar se çfarë masash janë marrë. “Nuk është konstatuar që të jetë një rast i dytë. Nuk ishte takim i zgjatur, por takim në dhomën e vizitave. Gjithë kjo zhurmë nuk dihet pse po bëhet,” përfundoi ai, duke shprehur habinë për vëmendjen mediatike të çështjes.

Pranimi i këtij takimi nga ana e Zëvendësdrejtorit të Burgjeve, pavarësisht mohimit të rasteve të tjera, pritet të nxisë më tej debatin publik mbi sigurinë dhe zbatimin e rregulloreve brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit. Kjo ngjarje ngre pyetje mbi kontrollin e hyrje-daljeve dhe respektimin e procedurave për takimet me të dënuarit, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura të njohura publike.

Published inShowbizz