Koalicioni i krijuar për zgjedhjet e 11 majit midis “Shqipëria Bëhet”, drejtuar nga Adriatik Lapaj, dhe “Nisma Thurje”, e udhëhequr nga Endri Shabani, është kthyer në një arenë përplasjesh të ashpra publike. Çështja që ka shpërthyer në debat është përplasja për mandatin e deputetit dhe përfshirja e Zeqir Kordhonit, dajës së Shabanit, i cili po kërkon që të marrë mandatin nëse shpallet fitues nga KQZ-ja.
Lapaj reagoi me një ton të ashpër, duke shprehur një zhgënjim të thellë dhe duke akuzuar Shabanin se është bërë pjesë e “kënetës politike” që ai ka denoncuar vazhdimisht. Ai e përshkroi situatën si një padrejtësi të rëndë ndaj vetes dhe gjithë ekipit të “Shqipëria Bëhet”, ndërsa theksoi se është ndier i luftuar jo vetëm nga krerët e vjetër të politikës si Rama dhe Berisha, por edhe nga ata që vetë u përpoq t’i sillte në skenën publike si shpresë e re.
“Është angazhuar gjithë këneta që unë të mos shkoj në Kuvend. Më luftuan të vjetrit, por më shumë më dhemb që më luftuan dhe ata që i mora në krah”, tha Lapaj në një deklaratë publike. “Zeqiri dhe nipi i tij, Endri Shabani, nuk do marrin mandat. Populli është dëshmitar i kësaj hipokrizie.”
Ai e akuzoi Shabanin për shkelje të marrëveshjes dhe për përdorim të skemave të vjetra të politikës shqiptare, duke e konsideruar si një kthesë të hidhur në rrugëtimin e tij për ndryshim.
Por Shabani nuk vonoi me një përgjigje të detajuar, të strukturuar me pika, në të cilën shpjegon se marrëveshja me Lapajn ishte bazuar në një parim të përbashkët, por se ky i fundit nuk ka qëndruar i sinqertë ndaj fjalës së dhënë.
“Ndjej keqardhje për deklaratën e Tikos që më shpall mua ‘armik të klasës’,” shkroi Shabani. “Por për publikun, dua të sqaroj tri gjëra.”
Në pikat që shpjegon, Shabani pretendon se mandati nuk ishte asnjëherë ekskluzivisht i Lapajt, pasi pa votat e “Nismës Thurje” dhe votuesve të tjerë të koalicionit, “Shqipëria Bëhet” nuk do të kishte arritur pragun për të marrë një mandat në Tiranë. Ai shprehet se Lapaj ka marrë vetëm rreth 6400 vota, ndërsa për mandatin nevojiteshin mbi 13 mijë.
“Nëse nuk do ishim bashkë, Tiku nuk do të ishte fare në lojë. Prandaj në vend që të më sulmojë, duhet të më falënderojë,” thekson Shabani.
Ai gjithashtu shpjegon se Zeqir Kordhoni, daja i tij, po vepron në përputhje me parimet për të cilat koalicioni kishte dalë në publik: që Lapaj kishte premtuar se nëse do të kishte vetëm një mandat, ai do t’i kalonte dikujt tjetër. Sipas Shabanit, ky zotim publik ishte në thelb të mobilizimit të aktivistëve dhe pjesëmarrjes qytetare. Por pas zgjedhjeve, sipas tij, Lapaj “e drodhi”.
“Zeqiri ka vendosur të veprojë për t’i kujtuar Tikos fjalën që dha vetë, me zë e me figurë, në disa media,” shtoi ai. “Unë nuk e kam për detyrë të mbaj përgjegjësi për dajën tim, njësoj siç Tiku nuk mban për vjehrrin.”
Shabani përmend gjithashtu vonesat e Lapajt në dorëzimin e listave, duke e akuzuar se futi në mënyrë të pakujdesshme Kordhonin në listën e mbyllur dhe se tani kërkon të lajë duart duke hedhur përgjegjësinë diku tjetër.
Debati është ndezur më tej nga akuzat për presione dhe kërcënime të supozuara ndaj familjes së Kordhonit, çka, sipas Shabanit, e ka detyruar atë të mos tërhiqet. Ai shpreh shqetësim për mënyrën se si po sillet “një lëvizje e re politike”, duke thënë se qëllimi i tyre nuk ishte të zëvendësonin ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj, por të sillnin një moral të ri në politikë.
“Po luftojmë për një politikë me ndershmëri dhe fjalë të mbajtur. Jo për t’u kacafytur për një karrige të vetme,” përfundon Shabani.
Përplasja mes dy figurave që përfaqësojnë frymën e re të politikës shqiptare ka zhgënjyer shumë mbështetës që besuan se ky koalicion do të ishte një shembull i ndryshimit të kulturës politike. Ajo që nisi si bashkëpunim për transparencë, integritet dhe rikthim të besimit te qytetari, po përfundon në një betejë të hidhur për një mandat – një histori që shqiptarët e kanë parë më shumë se një herë.