Gazetari Artan Hoxha ka komentuar ashpër situatën e krijuar në Theth pas aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Hoxha ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama ka shkatërruar investime me vlerë 15 milionë euro në këtë zonë turistike.
Gjatë një prononcimi publik, Hoxha ka hedhur poshtë pretendimet e Ramës se janë shpërndarë 300 certifikata pronësie në Theth. Sipas gazetarit, numri i dokumenteve të shpërndara në këtë fshat nuk arrin as në 100 dhe ato që janë dhënë nuk janë certifikata pronësie, por thjesht vërtetime të aplikimeve për certifikata.
“I njoh të gjithë fshatrat e veriut dhe askush nuk ka leje nga ata, se nuk u kanë dhënë pronë, nuk u kanë dhënë certifikatë pronësie. Ligji 7501 nuk ka vepruar në ato zona, sepse secili ka shkuar në tokë të vet, se ka shumë pak pronë. E kjo që thotë Rama sot, gënjen dhe gënjen si derri, se u kam prishë bizneset,” – u shpreh Hoxha. Ai shtoi se çdo banor i Thethit e ka biznesin të lidhur ngushtë me pronën e tij dhe se ata nuk janë thjesht biznesmenë, por banorë që jetojnë aty. Hoxha e cilësoi Thethin si një fshat që iu rikthye gjallëria dhe jeta pas braktisjes dhe vlerësoi se dëmi i shkaktuar banorëve nga prishjet arrin në 15 milionë euro.
Gazetari kritikoi Ramën për premtimet e dhëna vitin e kaluar për ndërtimin me dru dhe jo me beton, duke theksuar se banorët ndoqën këtë këshillë, por shtëpitë e tyre prej druri u rrafshuan. Hoxha vlerësoi se dëmi i shkaktuar Thethit do të ndihet për vite me radhë dhe se pamjet e shkatërrimit e kanë shkarravitur “kartolinën” e Shqipërisë.
Përfundimisht, Hoxha e akuzoi Ramën si një “mashtrues 24 karatësh” për deklaratat e tij lidhur me certifikatat e pronësisë, duke theksuar se ato nuk janë certifikata, por vetëm vërtetime aplikimesh dhe se numri i tyre është shumë më i vogël se 300. Hoxha e mbylli komentin e tij duke thënë se Rama gënjen vazhdimisht.