Në vazhdim të dëshmisë së tij tronditëse para trupit gjykues, Leonardi, vëllai i Liridona Ademajt, ka ofruar detaje të reja rreth orëve të para pas vrasjes së motrës së tij dhe përpjekjeve për të kontaktuar dhëndrin e tij, Naim Murselin.
Leonardi rrëfeu se rreth orës 11 të asaj dite, ai provoi të kontaktojë Naimin pasi familja nuk dinte se ku ndodhej. “Rreth orës 11 provova të kontaktoj me Naimin sepse nuk e dinim ku ndodhej. E thirra Valon Llukën, më tha: “Merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe fol me të.””, dëshmoi Leonardi.
Pas marrjes së numrit të shoferit, Leonardi arriti të lokalizojë Naimin në hotelin Swiss. Ai u nis menjëherë së bashku me djalin e axhës, dajën dhe tezakun drejt hotelit. “E thirra Betim Podrimqakun, më tha që Naimi është në Swiss. U nisëm me djalin e axhës, dajën dhe tezakun. Na thanë se është lart në dhomë.”, tregoi Leonardi.
Ajo që gjetën në dhomën e hotelit ishte e papritur. “Ai ishte i shtrirë në shtrat, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë që i kishte porositur si drekë. Nga habia menduam se ishte i frikësuar, se po e përjetonte me dhimbje. I thashë: “A mundemi me shku në morg me pa Liridonën?” Më tha: “Jo, nuk na lejohet.””, rrëfeu Leonardi, duke treguar habinë e familjes për qetësinë e Naimit në një moment kaq tragjik.
Më pas, Leonardi ndau përpjekjet e familjes për të parë trupin e pajetë të Liridonës dhe reagimin e ftohtë të Naimit. “E thirra vetë spitalin, i thashë: “A mundemi me ardh me pa trupin?” Shkuam, erdhi edhe Naimi. Mjeku tha: “Nëse keni ndonjë problem, mundeni mos me ardh.” Naimi tha: “Kam problem me zemër, s’e di a muj me e pa.” Ai erdhi deri te dera, dhe vetëm nga dera e shikoi. Nuk hyri brenda”, përfundoi Leonardi, duke theksuar distancimin e Naimit edhe në momentin e fundit për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortes së tij.
Këto detaje të reja nga dëshmia e Leonard Ademajt para trupit gjykues zbardhin orët e para pas vrasjes së Liridona Ademajt, duke nxjerrë në pah sjelljen e çuditshme të të akuzuarit kryesor.