Policia e Vlorës ka arrestuar babanë e 17-vjeçares që tentoi vetëvrasjen me armë zjarri ditën e djeshme. Arrestimi i 43-vjeçarit me iniciale S. S. është bërë nën dyshimet se dhuna psikologjike e ushtruar prej tij ndaj të bijës ka qenë shkaku kryesor që e shtyu adoleshenten drejt aktit ekstrem.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë: “Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë: arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë”.
Po ashtu, policia ka proceduar në gjendje të lirë edhe gjyshin 76-vjeçar të 17-vjeçares, me iniciale P. H., pasi dyshohet se arma e zjarrit që u përdor nga mbesa e tij për të kryer tentativën e vetëvrasjes, posedohej prej tij në mënyrë të paligjshme. “U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij”, sqaron policia.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes. Paraprakisht, A2 CNN raportoi se 17-vjeçarja, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë pasi mori një plumb në kokë, ka qenë fillimisht e vetëdijshme në momentin e mbërritjes në spitalin e Vlorës, por më pas ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në koma. Mjekët kanë konstatuar dy dëmtime në kokë, një në pjesën e syrit dhe një në pjesën e sipërme, ku plumbi fatmirësisht ka dalë, duke shmangur një hemorragji fatale. Gjendja e saj shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë dhe po monitorohet nga afër nga stafi mjekësor në Tiranë.